Ditën e sotme, është luajtur një nga përballjet më interesante të viteve të fundit të Superiores së moshave në futboll, pikërisht dueli i derbit verior, mes Shënkollit dhe Vllaznisë për grupmoshat U-17.

Në Lezhë, kjo ndeshje e prapambetur ka qenë një ndeshje shumë e dyluftuar. Loja filloi mirë për vendasit, pasi shënuan me penallti, me anë të Jakut në minutën e 32-të. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat 1-0, në favor të Shënkollit U-17.

Në pjesën e dytë, Shënkolli arrin të gjejë golin e dytë, me Mizën, që shënon në minutën e 56-të. U duk se Shënkolli do të merrte një fitore trepikëshe, por 10 minutat e fundit shfrytëzohen në mënyrën më të mirë nga Vllaznia, e cila në minutën e 84-të, ngushton shifrat me anë të Dodajt. Ndërkohë, vetëm pas dy minutash përsëri Dodaj i çoi shifrat 2-2, teksa futbollisti në fjalë rregjistroi një dopietë në këtë ndeshje.

Me barazimin 2-2 u mbyll edhe e gjithë ndeshja. Një ndeshje kjo mjaft interesante nga mënyra se u zhvilluan ngjarjet në fushën e lojës, ku meritë padyshim ka edhe trajneri i Vllaznia U-17, Edmond Doçi, që e mbajti ekipin të karikuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, duke besuar te barazimi.

Pas këtij barazimi, Vllaznia U-17 renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit me 27 pikë, ndërkohë që nga ana tjetër Shënkolli renditet në vendin e dytë me 33 pikë.

Maringlen ZHIVANI