Nga Maringlen ZHIVANI
KF Shiroka ka arritur një fitore të madhe mesditën e sotme, duke triumfuar me rezultatin e thellë 0-4 ndaj ekipit të Basanias, në derbin e qarkut Shkodër, të vlefshëm për Kategorinë e Dytë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të miqve, falë golit të Tareck në minutën e 35-të. Në fraksionin e dytë, Shiroka tregoi gjithë forcën e saj sulmuese, duke shënuar dy herë brenda nëntë minutash me autor Olamide, në minutat 63’ dhe 72’.
Në fund të takimit, ishte sërish Tareck që gjeti rrugën e rrjetës, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0-4 dhe një fitore të thellë në transfertë.
Kjo është fitorja e katërt radhazi për Shirokën në pesë javët e para të kampionatit, që e blindon vendin e dytë në klasifikim me 12 pikë, vetëm një më pak se Besëlidhja kryesuese.
Skuadra shkodrane po kalon një formë të shkëlqyer në këtë fillim sezoni dhe pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm në javën e ardhshme, kur do të presë në shtëpi ekipin e Sopotit.







