Rei Manaj ka qenë heroi i skuadrës së Albacetes sot, kur në ndeshjen kundër Rajo Majahonda, i ka dhënë suksesin minimal 1-0 skuadrës së tij që marshon drejt objektivit të ngjitjes në La Liga. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare e filloi takimin nga stoli, por u fut në fushë dhe bëri menjëherë diferencën.

Manaj hyri në fushë në minutën e 73 të ndeshjes dhe pak më shumë se 10 minuta më vonë, dërgoi topin në rrjete me një gjuajte të jashtëzakonshme nga jashtë zonës e cila mposhti portierin kundërshtar. Festë e çmendur me shokët e skuadrës duke hequr fanellën për sulmuesin, veprim që i solli edhe një karton të verdhë atij.

Por sigurisht që kartoni nuk e shqetësoi as atë dhe as ekipin e Albacetes, që administroi mirë këtë avantazh të siguruar në fund dhe mori tre pikët nga ndeshja, duke u ngjitur në vendin e dytë në klasifikim, vetëm 1 pikë larg Granadës së vendit të parë me të cilën ndeshen në ditët e para të janarit.

Ky i sotmi ishte goli i 5 për Manajn në këtë kampionat, që po rezulton mjaft i suksesshëm për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, ndonëse nuk është titullar fiks në radhët e skuadrës së tij. /vipsport/