Tirana-Vllaznia do jetë kryendeshja e javës së 16-të të Superligës. Kjo do jetë edhe sfida e parë zyrtare për këtë vit për të dy skuadrat që përplasin “brirët” në klasiken e Shqipërisë. Një duel që në dekada ka prodhuar rivalitet dhe trofe të panumërt. E po ashtu ndeshja e së shtunës pritet të jetë e luftuar.

Por si rrallë herë në duelet e futbollit tonë, përballë do jenë dy formacione pa asnjë “ish” brenda. Kështu nga lojtarët që parashikohet të zbresin në fushë si titullar, asnjëri prej tyre nuk e ka veshur në të shkuarën fanellën e kundërshtarit. Tek Vllaznia, në përbërjen me 25 futbollistë nuk gjen asnjë lojtar që në të shkuarën të ketë luajtur me Tiranën.

Ndërsa tek Tirana gjen dy futbollistë, por që kanë zbritur shumë pak në fushën e lojës këtë edicion që kanë qenë pjesë e Vllaznisë në të shkuarën.

Kështu portieri veteran, Ilion Lika ka luajtur vetëm 1 ndeshje në vitin 2010 me Vllazninë. Gjithashtu edhe mbrojtësi , Gentian Muça ka qenë pjesë e shkodranëve në vitin 2011.

Pra më shumë se 1 dekadë më përpara dy lojtarët kanë mbajtur veshur fanellën kuqeblu. Një duel pa “ish-ë” në formacionet titullare që ndoshta do e bëjë sfidën edhe më të zjarrtë, ku nuk do ketë ndjenja të përziera në asnjërin krah të fushës dhe futbollistët do japin gjithçka për të triumfuar në këtë duel.

Endri ÇINARI