Karriera e tij ka ardhur në rritje. Klaudio Leka është rritur tek Akademia Vllaznia ndërkohë që tashmë është një nga elementët më të rëndësishëm të ekipit U21. Kuptohet që mundohet të punojë fort për të bërë realitet një ditë ëndrrën e tij të madhe: Debutimin me ekipin e parë të Vllaznisë.
Mundësitë janë nëse vazhdon të luajë mirë. Në fakt, Klaudio është me fat se e ka në shtëpi “kritikun” e tij më të madh, babain. E kemi fjalën për Nikolin Lekën, trajnerin e Vllaznisë në futboll për femra.
Numri 6 i kuqebluve ka pranuar me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” me gazetaren Fabiola Caka, në lidhje me karrierën e tij dhe synimet për të ardhmen.
– Klaudio, Vllaznia sot e mbyll ndeshjen me një barazim. Sa të kënaqur jeni me këtë rezultat?
Nuk mund të mohojmë faktin se kishim përballë një kundërshtarë të fortë, direkt në fakt, e megjithatë ne kërkonim 3-pikët të cilat do na rEndisnin në vendin e parë në kampionat. Natyrisht nuk jemi të kënaqur pasi pritshmëritë ishin më të larta, por mendoj se në vazhdim do arrijmë synimet tona.
– Për sa i përket paraqitjes personale, ju vetë mendoni se keni dhënë maksimumin?
-Kërkoj çdo ndeshje të jap maksimumin, më të mirën nga vetja, në mënyrë që të kem rritje personale por edhe t’i vijë në ndihmë sa më shumë ekipit. Kam akoma për të ofruar sigurisht dhe besoj se jam pikërisht në hapat e duhur drejtë kësaj rruge.
– Babai juaj është gjithashtu pjesë e botës së sportit. A është ai kritiku më i madh i juaji?
-Kam fatin e madh të kem një baba që e do sportin po kaq sa unë dhe që me kritikat e tij bën që unë të rregulloj ato defektet që ndodhin shpesh herë nëpër ndeshje, duke mos i përsëritur ato.
– Cila është ajo fjali të cilën ai t’a thotë gjithmonë para ndeshjeve?
-Babai është ai personi i cili më motivon para ndeshjes dhe më jep kurajo që të jap më të mirën time. Fjalia që më thotë pothuajse para çdo ndeshjeje është “Jep maksimumin dhe kthehu me fitore”.
– Si janë raportet tuaja me stafin dhe ekipin?
Duke qenë se ka vite që punoj me këtë staf, normalisht raportet janë shumë të mira. Akoma më të mira janë marrëdhëniet me shokët e skuadrës pasi jemi rritur së bashku dhe vazhdojmë ta ruajmë këtë raport mjaft mirë edhe në ditët e sotme.
–Sa jeni i kënaqur me arritjet tuaja dhe cilat janë objektivat personale për të ardhmen?
Mendoj se është herët për të folur për arritje. Ndërsa për sa i përket objektivave ose nëse mund ta quaj ndryshe edhe ëndërr, është të debutoj me ekipin e parë të Vllaznisë.
Intervistoi: Fabiola CAKA