Supersfida e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, ajo mes ekipeve të “Juban Danjës” dhe Adës, do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të hënën e ardhshme. Lajmi konfirmohet nga presidenti i ekipit të “Juban Danjës”, Ferdinand Jaku. “Meqë është një ndeshje e rëndësishme, por për më tepër që luajnë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat më të mira të kampionatit, menduam se për t’i dhënë bukuri edhe më tepër kësaj ndeshje, ta zhvillojmë atë në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kemi gjetur mirëkuptimin e duhur me drejtuesit e Bashkisë Shkodër për të na lejuar të luajmë në stadium. Nuk ka shumë rëndësi se kush fiton, e rëndësishme është të fitojë futbolli i bukur dhe sportdashësit që do vijnë në stadium, të kënaqen me lojën që do zhvillohet”-ka thënë ai. “Juban Danja” është pritëse në këtë ndeshje prandaj dhe ka patur të drejtë ajo të zgjedhë fushën megjithatë, zgjedhja e bërë nuk ka qenë në interesin e kësaj skuadre por thjesht për të krijuar një ambjent të bukur për këtë sfidë që do përcaktojë edhe “kampionen e dimrit” për femrat. Dy ekipet janë me pikë të barabarta në renditje dhe kush do ta fitojë këtë, do të renditet i pari në fundin e fazës së parë.