Prej disa ditësh në Tiranë është grumbulluar ekipi kombëtar i basketbollit për meshkuj, në kuadër të ndeshjeve eliminatore e Kampionatit Botëror. Ndër lojtarët e grumbulluar nga stafi i këtij ekipi, ka bërë përshtypje edhe “një emër i panjohur”. Bëhet fjalë për Klaudio Patanin.

Themi “i panjohur” sepse në fakt shumëpakush e njihte këtë sportist por karriera e tij e deritanishme i ka bërë për vete të gjithë. Karriera e tij ka ardhur gjithnjë në rritje dhe për momentin luan me ekipin Isernia që militon në Serinë B të basketbollit italian. Jo keq për një 21 vjeçar dhe për më tepër, me origjinë shqiptare. Megjithatë kjo e fundit duket se nuk do ta pengojë t’i ngjisë shkallët një e nga një siç ka bërë deri tani. Me objektivin madhor për të kapur Serinë A. Përvoja e Elseid Hysaj, shkodranit tjetër që jeton në Itali, i cili me futbollin ka ngjitur majat më të larta, mund të pasohet edhe në një sport tjetër, këtë herë tek basketbolli me anë të Klaudio Patanit. Ndryshimet mes tyre janë të mëdha. Vërtetë origjina e të dyve është nga Shkodra, por Patani ka
lindur në Itali dhe është rritur atje. Çka e ka bërë të jetë i barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tij të këtij vendi. Po kush është Klaudio Patani?
Ka lindur më 7 prill 1996 në Itali nga dy prindër emigrantë nga Shkodra të cilët kishin udhëtuar drejt këtij vendi me ëndërra të mëdhë. Së pari për fëmijët e tyre dhe në fakt, djali po e bën mjaft mirë këtë gjë. Ka nisur herët të merret me sport. I pyetur nga “SHKODRA SPORT” për arsyet që e çuan të zgjidhte basketbollin kur shumica e fëmijëve preferojnë të luajnë futboll, Patani do të përgjigjej: “E kam nis si çdo fëmijë duke u marrë me lojëra të ndryshme dhe fakti që teksa luaja basketboll, filloi të më pëlqente si lojë dhe prandaj e vazhdova. Një arsye më shumë ishte ngaqë unë isha më i gjati nga të gjithë fëmijët atje”. Karrierën e nis me UBS Foligno, për të vazhduar më pasme Valdiceppo dhe vitet e fundit me Isernian. Ky i fundit, luan në Serinë B të basketbollit italian dhe Klaudio bën të ditur se edhe në sezonin e ri do të jetë sërish pjesë e
saj. Shtatëlartësia e tij është 1.97 metra dhe në Itali luan në pozicionet 3 dhe 4 ndërkohë që në kombëtare gjatë këtyre ditëve trajneri e ka provuar të luajë në pozicionet 4 dhe 5.Për të nuk përbën ndonjë problem. Eksperiencën e parë me kombëtaren shqiptare po e përjeton në
mënyrën më të mirë të mundshme. Duke folur për gazetën në lidhje me këtë ftesë të ardhur nga Federata Shqiptare e Basketbollit, Patani do të shprehet: “Eksperienca me kombëtaren është diçka që çdo sportist e ka ëndërr. Jam shumë i emocionuar për këtë grumbullim të parë dhe do të bëj maksimumin për të bindur stafin teknik është që mjaft kërkues dhe ka kërkesa të qarta për këto eliminatore. Mbi të gjitha, jam i kënaqur që jam këtu, për të luajtur me Shqipërinë. Plus kësaj, luajtja me kombëtaren është një mundësi e mirë për t’u rritur edhe nga ana sportive”. ëndërrat e basketbollistit të lindur në Itali por me prindër nga Shkodra, kanë filluar në këtë mënyrë të realizohen një e nga një. I ka mbetur edhe një tjetër, luajtja në Serinë A të basketbollit italian. Klaudio e ka të qartë këtë gjë dhe në fund për gazetën tonë do të shprehej: “Mundohem të punoj shumë për të ngjitur shkallët e karrierës. Padyshim që dëshira e madhe është të firmos me një ekip të Serisë A dhe për këtë arsye, do të bëj çmos për ta arritur këtë gjë”. Në këtë mënyrë, tashmë në vendin fqinj duhet të dëgjojmë edhe për basketboll. Shkodranët kanë filluar ta thonë fjalën e tyre gradualisht dhe ky është një lajm i mirë. Klaudio Patani është rasti për t’u evidentuar dhe natyrisht, edhe për t’u mbështetur.

Gjergj KOLA