Në stadiumin “Besëlidhja”, lezhjanët do të zhvillojnë ditën e sotme ndeshjen e rradhës në Kategorinë e Parë, në kuadër të javës së tetë të kampionatit. Sot, lezhjanët presin në shtëpi Burrelin, ndërsa fundjavën e kaluar barazuan 1-1 me Skënderbeun.
Ndërkohë, në një prononcim për “Shkodra Sport”, kapiteni shkodran i lezhjanëve, Klejdi Dibra është optimist për formën e skuadrës dhe beson se fitorja nuk do të diskutohet.
Dibra, që luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe është rikthyer si pjesë e Besëlidhjes këtë sezon, ka shumë eksperiencë, teksa ai është një nga futbollistët lider të këtij ekipi.
Për “Shkodra Sport”, mbrojtësi shkodran u shpreh se të luash për Besëlidhjen është impenjim dhe përgjegjësi, pasi është një ekip që ka tradita, ndërsa theksoi se po mendohet vetëm që të merret fitorja në sfidën ndaj Burrelit që luhet ditën e sotme.
“Sot luajmë ndaj një ekipi të fortë, siç është Burreli, por duke ditur edhe formën e skuadrës, jam optimist dhe besimplotë se fitorja nuk do të diskutohet nga ana jonë. Në fakt, që në fillim e pranova ofertën e Besëlidhjes dhe jam i qartë për sfidat dhe objektivat e tyre, prandaj edhe nuk refuzova, duke qenë se kam luajtur edhe më parë në Lezhë dhe e njoh atmosferën këtu.
Ardhja tek Besëlidhja nuk është luks, por impenjim dhe përgjegjësi, pasi është një ekip që ka tradita dhe e meriton të jetë pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
Tashmë, po shohim përpara dhe po mendojmë vetëm për të arritur fitoren në sfidën që kemi brenda me Burrelin ditën e sotme”,-përfundoi prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, kapiteni i Besëlidhjes, Klejdi Dibra.
Maringlen ZHIVANI