Klodian Duro per momentin nuk eshte i angazhuar me futbollin, por e ndjek rregullisht gjithçka ndodh ne Shqiperi dhe jo vetem. Ai ka dhene se fundi edhe nje interviste per newsport.al ku ka folur edhe per “Final 4” dhe shanset e skuadrave per ta fituar titullin kampion. Ja si eshte shprehur ai:

“Vetë formula e këtij kampionati që luhet për herë të parë kështu, pra me Final Four normalisht që nuk lejon që të jetë një skuadër favorite. Vetë kjo formulë nuk ta mundëson që të dallosh një skuadër favorite, pasi do të luhen ndeshjet finale mes 4 ekipeve të para. Por nëse do të veçoja një skuadër për gjithçka që ka dhënë nga java e parë deri më tani, është Egnatia, jo më kot është në vendin e parë.

Në Final Four mund të ketë edhe surpriza, çdokush nga këto 4 ekipe mund ta fitojë titullin. Por unë mendoj dhe do dëshiroja shumë që këtë kampionat ta fitonte Egnatia dhe të dilte kampione. Do ishte hera e parë për Egnatian, për qytetin e Rrogozhinës dhe këtë titull t’ia dedikonte të ndjerit, Raphael Dwamenas.

Është hera e parë që aplikohet kjo formulë dhe luhet kështu në kampionatin shqiptar. Unë mendoj se iu desh pak kohë ekipeve, por edhe opinioneve të futbollit të ambientoheshin me këtë formulë. Por unë mendoj se është zgjedhja e duhur për të parë një fund kampionati me shumë rivalitet dhe ndeshjet finale me stadiumet plot. Dhe në fund të dalë ajo kampione që e meriton nga këto finale. Ishte risi, por mendoj se do të jetë një fund kampionati i bukur dhe me stadiumet plot.

Fundja futbollit luhet për tifozët dhe tifzoët i japin bukurinë më të madhe një ndeshje futbolli. Unë jam i mendimit se Final Four ishte zgjedhja e duhur, por mendoj se duhet të ishte një kampionat me 12 skuadra, me 2 skuadra vajtje-ardhje dhe në fund, në fazën e 3-të, gjashtë skuadrat që janë renditur të parat të luanin për të nxjerrë ekipin që luan në Kupat e Evropës dhe gjashtë të dytat të luanin për të vendosur se cila skuadra do të qëndronte në Kategorinë Superiore dhe cila do të binte.

Formula e këtij kampionati do t’i mbushë shkallët e stadiumit plot dhe klubet mund të arkëtojnë edhe të ardhura. Por mendoj se vetë klubet e Superiores duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim për marketingun, për të thithur sa më shumë tifozë, gjatë vitit dhe gjatë çdo ndeshje. Është detyrë e tyre për të sjellë tifozët në stadium dhe mbi të gjitha për menanxhimin dhe shitjen e lojtarëve. Unë jam për futjen e lojtarëve të rinj, sa më shumë të aktivizohen.

Nga kjo rritje e lojtarëve vijnë edhe të ardhura në klub, prandaj duhen njerëz të aftë në klubet e Superiores. Po jap një shembull, nëse Tirana luan në grupe apo raundet e Champions apo Europa League, unë mendoj se duke patur kundërshtarë të fortë siç kishte Besiktasin ndodhin shitjet. Nëse Muçi u shit nga Tirana te Legia dhe më pas te Besiktas për një shifër record prej 10 milionë eurosh, unë mendoj se po i njëjti Muç apo një Muçi tjetër mund të shitej direkt nga Tirana te Besiktasi për këto shifra. Tirana do të fitonte shifra rekord dhe pastaj do i investonte më mirë ato në funksion të klubit”.