Tomas Strakosha edhe në këtë sezon ka treguar se është një nga pikat më të forta në skuadrën e Lacios. Gardiani shqiptar ka një meritë të padiskutueshme në Lacion e këtij viti, skuadër e cila po lufton për titullin kampion. Ndërkohë, edhe pse futbolli është ndalur si pasojë e Koronavirusit, merkato vazhdon të prodhojë lajme.

Kështu, mediat angleze shprehen të sigurta se Everton është gati të bëjë një lëvizje për Strakoshën, i cili në këtë rast do të zëvendësonte portierin e kombëtares së Anglisë, Pikford.

Vlera e 24-vjeçarit në merkato është diku te 35 milionë paund, mirëpo, Evertoni nuk është klubi i vetëm nga Premier League që interesohet për shërbimet e Strakoshës.

Për futbollistin e kombëtares nuk e ka fshehur pëlqimin e saj as klubi londinez i Totenhem. Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në verë, ndërsa mendimi i parë është të kalohet situata e vështirë që ka mbërthyer Europën e kampionatet të arrijnë të përfudojnë ndeshjet e parashikuara. /VipSport/