Mbështetje maksimale për trajnerin Armando Cungu dhe bashkë me të, do të çojmë përpara projektin që kemi nisur tek Vllaznia. Klubi shkodran i ka dhënë mbështetje trajnerit aktual, duke hedhur poshtë çdo aludim të mundshëm për ndonjë ndryshim në pankinën kuqeblu. Kjo i është komunikuar vetë trajnerit dhe skuadrës, në analizën e zhvilluar sot nga ana e administratorit Gjyrezi. Ky i fundit njëkohësisht ka hedhur poshtë edhe aludimet për gjoba, por nga ana tjetër i “ka vënë një kusht” skuadrës: Fitoren të dielën me Kukësin. Të gjitha këto janë bërë të ditura në faqen zyrtare të klubit ku shkruhet: “Humbja e hënës ndaj Laçit, ashtu siç ishte paralajmëruar, nuk mund të kalonte pa u analizuar në kampin shkodran. Siç ndodh zakonisht, para seancës së parë stërvitore të javës, zhvillohet analiza e zakonshme dhe kështu ka ndodhur edhe ditën e sotme. Përpara fillimit të seancës, në ambjentet e fushës “Reshit Rusi” është zhvilluar analiza e takimit të fundit. Në të, përveç futbollistëve dhe stafit teknik, kanë marrë pjesë edhe dy drejtuesit e lartë të klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori teknik Zeka. Nga bisedimet e bëra me futbollistët dhe trajnerët, është dalë në konkluzionin se humbja ndaj Laçit ka qenë e papritur edhe për ta. Pësimi në mënyrë të papritur i golit të parë, nuk ka sjellë reagimin e duhur të skuadrës dhe kjo u pasua edhe pas golit të dytë të kundërshtarit. Të gjithë pjestarët e Vllaznisë, e kanë pranuar se ka qenë një ndeshje e dobët, e cila nuk duhet përsëritur më. Ata kanë premtuar kthesën që në ndeshjen e rradhës me Teutën dhe në fakt, këtë gjë u kanë kërkuar edhe drejtuesit e klubit. Administratori Gjyrezi, ndryshe nga sa mund të përflitet, ka bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë gjobë apo masë tjetër ndëshkimore për futbollistët, por thjesht u është vënë kusht fitorja me çdo kusht e ndeshjes me Teutën. Njëkohësisht, ai në emër të klubit, i ka dhënë mbështetjen maksimale trajnerit Cungu për të vazhduar punën dhe projektin e përbashkët që është nisur, për të ndërtuar atë Vllazni që dëshirojnë të gjithë shkodranët”.
© shkodrasport.com