Përvojës së Patrick Kluivert në krye të skuadrës turke, Adana Demirspor, i vjen fundi. Humbja ndaj Samsunsporit (2-3), të dielën, vulosi fatin e trajnerit holandez, i cili ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit.

Në detyrë që prej muajit korrik, ish-drejtori i futbollit të PSG-së pati përvojën e tij të parë në stolin e një klubi në Turqi.

“Me marrëveshje të dyanshme u ndamë nga trajneri ynë, z. Patrick Kluivert. Dëshirojmë të falënderojmë zotin Kluivert dhe stafin e tij për atë që i kanë sjellë klubit tonë dhe t’i urojmë suksese në karrierën e tij të ardhshme”, ka zyrtarizuar klubi në një njoftim për shtypin.

Klubi i Adanas e nisi mirë sezonin dhe renditet në vendin e pestë në kampionatin turk.Mario Balotelli, M’Baye Niang, Nani dhe Benjamin Stambouli, emra të njohur që luajnë për këtë skuadër, ende nuk e dinë se cili do të jetë trajneri i ri vetëm katër ditë para ndeshjes kundër Galatasaray-t, të premtën, në orën 18:00.

Media italiane, më konkretisht “Gazzetta dello Sport”, shkruan se në “pole” për të marrë vendin e lënë bosh nga Kluivert është Fabio Cannavaro.