Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia e femrave do të luajë mbrëmjen e sotme në ora 20:30 në “Stelios Kyriakides Stadium” të Paphos në Qipro ndaj kampiones sllovake Spartak Myjava ndeshjen gjysmëfinale të grupit 6 të turit të dytë të “UEFA Women’s Champions League”.
Kuptohet që objektivi i vajzave kuqeblu është një dhe i vetëm: Fitorja dhe kualifkimi në finalen e grupit e cila do të luhet ditën e shtunë. Optimizmi në rradhët e tyre është i madh dhe njëkohësisht edhe besimi se mund t’ia dalin ta fitojnë këtë përballje të sotme. Në prag të kësaj sfide, ka folur për Gazeta “Shkodra Sport” trajneri i ekipit të Vllaznisë Nikolin Leka që është shprehur:
“Skuadra jonë është stërvitur mirë gjatë gjithë kësaj kohe dhe lojtaret gëzojnë një formë të mirë. Gjendja moral dhe psikologjike e vajzave është e mirë dhe ato janë shumë optimiste për ndeshjen e sotme. Normal që objektivi jonë i vetëm është fitorja dhe kualifikimi në finalen e grupit.
Ekipin kundërshtar e kemi studiuar. Janë një ekip i cili ka në përbërje thuajse të njëjtat lojtare prej disa vitesh dhe prandaj janë shumë të konsoliduar dhe në rradhët e tyre janë disa futbolliste të kombëtares së Sllovakisë. Megjithatë kjo nuk përbën ndonjë problem për ne sepse i kemi marrë masat dhe padyshim që do të kërkojmë fitoren dhe kualifikimin”.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


