Shkruar nga Endri ÇINARI
Teksa numërimi mbrapsht për nisjen e sezonit 2026-27 po hyn në fazën e tij vendimtare, në kampin e Vllaznisë bie në sy një detaj i veçantë. Nëntë herë kampionët e vendit nuk po nxitojnë të shpallin objektivat për edicionin e ri, duke preferuar të mbajnë një profil të ulët në prag të startit të kampionatit.
Gjatë javëve të fundit, pjesëtarë të ndryshëm të stafit teknik janë pyetur vazhdimisht nga gazetarët për synimet e skuadrës. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një përgjigje konkrete. Përkundrazi, të gjithë kanë zgjedhur të shmangen me diplomaci, duke përdorur pothuajse të njëjtën shprehje: “Do ta shohim rrugës për të përcaktuar objektivat.” Një përgjigje që tashmë është kthyer në një klishe, por që duket se pasqyron filozofinë e klubit në këtë moment.
Ky qëndrim nuk duket aspak rastësor. Pas një sezoni ku pritshmëritë ishin të mëdha, por fundi rezultoi zhgënjyes, në Shkodër nuk dëshirojnë të krijojnë një atmosferë euforie apo presioni të panevojshëm. Fillimisht synohet ndërtimi i një skuadre sa më konkurruese dhe konsolidimi i grupit, ndërsa objektivat madhorë pritet të marrin formë vetëm pasi kampionati të ketë hyrë në rrjedhën e tij.
Edhe merkatoja e verës është menaxhuar me kujdes, ndërsa stafi teknik vijon punën për të integruar afrimet e reja dhe për t’i dhënë identitet ekipit. Pikërisht për këtë arsye, te Vllaznia preferojnë që fusha të flasë përpara deklaratave, duke mos u ngarkuar me premtime që mund të rrisin presionin që në javët e para të sezonit.
Mbetet për t’u parë nëse kjo strategji do të japë efektet e dëshiruara. Një gjë është e sigurt: në Shkodër askush nuk dëshiron të bëjë premtime të bujshme. Të paktën për momentin, Vllaznia ka zgjedhur të ecë me qetësi, larg zhurmës dhe euforisë, me bindjen se përgjigjet më të mira do të vijnë në fushën e lojës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


