Vinful Kobinah është kthyer në këtë sezon në një nga lojtarët më të vlerësuar te Tirana. mesfushori ka shkëlqyer duke luajtur në krahun e djathtë të mesfushës ku ka gjetur pozicionin e tij dhe po jep kontributin me gola e me asiste, duke e ndihmuar Tiranën që të bëhet protagoniste në luftën për titull.
Rrugëtimi i bardhebluve kalon në Shkodër këtë javë në atë që cilësohet “derbi i Shqipërisë”. Kobinah pranon se kjo do të jetë një transfertë shumë e vështirë, por shpreson që ekipi të marrë pikët që i duhen për të vazhduar të jetë protagonist në kreun e renditjes.
“Vllaznia ka një skuadër shumë të mirë, në ndeshjen e kaluar atje hasëm shumë vështirësi dhe e dimë edhe të premten që nuk do ta kemi aspak të lehtë. Po kalojmë një moment të mirë dhe shpresoj që të dalim me pikë nga stadiumi. Në futboll janë të 3 rezultatet por shpresoj të vazhdojmë serinë e fitoreve. Kemi ekip të mirë që mund të bëjë akoma më shumë. Duhet të hyjmë në fushë duke menduar të fitojmë e jo për tre rezultatet”, tha Kobinah për “RTSH”.
Megjithatë, ai deklaroi se për titullin nuk duhet folur tani, por në fund të kampionatit. Ai thjesht shpresonte që të vazhdonte të shënonte siç ka bërë deri tani, për të ndihmuar skuadrën. “Shpresoj të shënoj ndaj Vllaznisë, dua të shënoj sa më shumë por në fund është më i rëndësishëm rezultati.
Nuk ka rëndësi se kush e çon topin në rrjetë, e rëndësishme është të dalim me tre pikët nga fusha. Unë mund të them se në këto momente po bëjmë mirë, atmosfera në stërvitje është mjaft e mirë dhe në fund të shohim nëse mund të fitojmë apo jo titullin”, deklaroi Kobinah. /vipsport/