Koço Kokëdhima, presidenti i Apolonisë, është ndër të parët në botën e sportit në vendin tonë, i cili ka ngulmuar që klubet e futbollit të shikohen si biznese. Temat për financimin e sportit janë ato që i pëlqejnë më së shumti dhe ai rikthehet të flasë.

Në një lidhje “Skype” me emisionin Studio Sprint të Gerti Çarçanit, në ABC News, ai e konsideroi të drejtë kërkesën e FSHF ndaj qeverisë, që duhet të ndihmojë edhe botën e sportit.

“Është shumë e drejtë kërkesa e FSHF ndaj qeverisë, për ta marrë në konsideratë mbështetjen e klubeve te futbollit. E kam thënë shumë herë që duhen mbështetur jo vetëm klubet e futbollit, por të gjitha ndërmarrjet ekonomike që kanë pasoja nga kjo pandemi.

Të gjithë të punësuarit duhen mbështetur me pagën minimale dhe nuk janë pak, por mijëra”, tha fillimisht Kokëdhima. Duke i kujtuar deklaratën e djeshme të kryeministrit Rama, i cili bëri me dije qëndrimin për të mos e ndihmuar futbollin, Kokëdhima shtoi:

“Më vjen keq të dëgjoj deklarata të tilla. Këtu nuk është fjala të fitojë para futbolli. Klubet nuk janë fitimprurëse dhe këtë e di kushdo. Ma do mendja se e di edhe qeveria. Klubet e futbollit janë edhe më të varfra se futbollistët. Këta njerëz që janë të punësuar duhet të kenë mundësi të përballojnë faturat që kanë. Është një spekulim dhe duhen marrë në konsideratë të gjithë punonjësit”.

Presidenti i Apolonisë vijoi me arsyetimin e tij: “Meqë zotëria thotë të shohim klubet e huaja, le të shohë paketën e Serbisë. 100 euro për çdo person mbi 18 vjeç, pagat për punonjësit. Jep 250 euro pagë minimale, që të jetojnë. Mbështet ndërmarrjet që heqin nga puna më pak se 10 persona. Me çfarë të jetojnë punonjësit në sport? Ata nuk marrin paga të larta, siç mendon ai. Kjo qeveri nuk e ka reformuar tregun që të ketë begati. Klubet nuk fitojnë asgjë”.

Kryeministri Rama këmbëngul që klubet e futbollit bëjnë deklarime të rreme dhe Koço Kokëdhima ka një mesazh. “E sfidoj këtë deklaratë të pavërtetë. Jam presidenti i Apolonisë, bashkëpronar me Bashkinë e Fierit, dhe nuk kemi asnjë lojtar apo punonjës në të zezë. Paguajmë rregullisht taksat dhe bëjmë biznes sipas ligjeve. Qeveria nuk bën propagandë, zbaton dhe mbron ligjet. Nëse do të isha unë aty, nuk do të kishte qëndrime të tilla cinike.

Do kishte marrje përgjegjësish. Ai tha se jemi vetëm. Ai kishte parasysh që ju jeni vetëm, jo ata. Ata nuk marrin asnjë përgjegjësi. Minimalisht do të duhet të thoshte do shtyj detyrimet e taksave. Kërkesat e FSHF janë shumë të drejta. Dëgjova dhe lexova Dukën, që thotë se do i mbështesim klubet dhe sa të ketë jetë do ketë futboll. FSHF dhe investuesit do t’i dalin për zot kësaj situate, por duhet që qeveria të mbajë përgjegjësi”, përfundoi presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima. /abcnews/