Bledar Kola nuk e merr në konsideratë idenë për të drejtuar përfaqësuesen shqiptare të futbollit pas largimit të Kristian Panuçit. Ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare, i cili ka ndërtuar një karrierë në Greqi që në fillimin e viteve ’90, fillimisht si lojtar e tani si trajner, ka konfirmuar dje për mediat greke se është i përkushtuar tërësisht ndaj punës së tij si zëvendëstrajner te AEK.

Ai nuk ka dashur të diskutojë detajet e bisedimeve me Dukën, pro ka theksuar se është i përkushtuar ndaj projektit katërvjeçar që kanë filluar në klub. “Përtej respektit dhe vlerësimit të ndërsjellë që kemi për njëri-tjetrin me presidentin Duka, ashtu si edhe dëshirës së përbashkët që kemi prej kohësh për një bashkëpunim në ekipin kombëtar në të ardhmen, nuk ka asgjë reale që duhet diskutuar apo përmendur”, tha Kola mbrëmë për “gazzetta.gr”.

“Unë jam i përkushtuar plotësisht te projekti i AEK dhe te bashkëpunimi 4-vjeçar me trajnerin dhe mikun tim Mario Ozunidis”, theksoi ai.

Gjithsesi, Kola shpreson që Shqipëria, me apo pa Panuçin, të dalë sa më shpejt nga kriza. “I uroj kombëtares të kalojë këtë periudhë ët vështirë dhe jam i sigurt se presidenti dhe kolegët e tij do të marrin vendimet e duhura”, ishin fjalët e tij për median greke. /vipsport/