Ronald Koeman lavdëroi karakterin e Holandës, pasi të tijtë luftuan përsëri, edhe pse në disavantazhin 2-0, derisa barazuan me Gjermaninë dhe fituan një vend në finalet e Ligës së Kombeve.
Portokallinjtë kishin nevojë për një pikë, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të këtij kompeticioni, përpara përpara kampionëve të botës, Franca. Ata e panë veten “në gropë”, pas golave të Timo Werner dhe Leroy Sane.

Por Quincy Promes dhe qendërmbrojtësi Virgil van Dijk e “morën për dore” Holandën, duke barazuar 2-2 dhe lënë trajnerin Koeman të kënaqur, pavarësisht një performance të dobët. “Ekipi tregoi karakter. Ne vazhduam të besojmë dhe kërkojmë barazimin, – tha Koeman në citimet e botuara nga “UEFA.com”.

– Nuk mendoj se luajtëm mirë. Ndoshta në këtë fazë është shumë për ne, që të luajmë dy ndeshje në një periudhë kaq të shkurtër, kundër një kundërshtari të nivelit aq të lartë. Mos harroni, kjo Gjermani ka një ekip të shkëlqyer, ndoshta edhe më të mirë se Franca. Por, ne, gjithashtu, treguam se mund të rimëkëmbemi, kur luajmë me kundërshtarë të këtij kalibri”.

Dhe Koeman përgëzoi asistentët e tij, që e udhëzuan mbrojtësin Van Dijk të dilte përpara, teksa barazimi erdhi pikërisht nga kapiteni i ekipit: “E kam marrë atë shënim nga Dwight Lodeweges dhe Kees van Wnderen. Kur ishim në disavantazhin 2-0, ata më pyetën nëse duhet t’i ndryshojmë gjërat dhe iu thashë: Po. Eshtë fantastike që barazimi erdhi nga lojtari, të cilit i thamë të dilte përpara”.

Holandezët do të bashkohen me Anglinë, Zvicrën dhe Portugalinë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, që do të luhen në vitin 2019./telesport/