Xhovani Kolela ka qenë shumë i kënaqur me fitoren e Partizanit ndaj Erzenit. Trajneri i të kuqve deklaroi pas sfidës se ekipi kishe treguar karakter duke fituar menjë lojtar më pak.

“Nuk kam pasur kurrë dyshime te kjo skuadër. Dyshimet i keni ju, të gjithë, çdo herë ndryshohet opinioni nëse fitojmë apo jo. Jam i lumtur për klubin, sidomos për djemtë që e meritojnë se kanë punuar shumë me impenjim të madh edhe kur kemi humbur. Kanë respektin tim të plotë për këtë gjë.

Bëra gjë normale, kur mbeta me 10 çfarë të bëja, të hidhja një sulmues? Nuk kam bërë asgjë speciale, kam bërë gjërat normale, gjërat speciale i kanë bërë ata, jo unë. Jam i lumtur që tifozët kanë duartrokitur lojtarët dhe është gjëja e drejtë që duhej bërë.

Nuk më intereson të thuhet se për çfarë fitohet, mua më intereson të fitojmë. Pastaj në vijim do të bëjmë llogaritë se sa pikë kemi, dhe nëse këto pikë do të shërbejnë për të arritur një objektiv të rëndësishëm.

A nuk ka nevojë Partizani për Carën? Sinqerisht, nuk i përgjigjem kësaj pyetje. Sot Tedi duhej të pushonte, ai është lojtar i rëndësishëm për Partizanin, siç janë të gjithë. Pyetjeve për të nuk i përgjigjem. Nuk është e vërtetë që nuk ka hapësirë për Tedin dhe për të tjerët. Këtu janë të gjithë të rëndësishëm dhe skuadra është përmirësuar në këtë aspekt”, tha Kolela për “Oversport” pas duelit.