Kombëtarja shqiptare do luajë sot ndeshjen e fundit kualifikuese përballë Andorres. Takimi që do startojë në orën 20:45 dhe do luhet në “Elbasan Arena” do ketë vlerë për të mbajtur vendin e tretë në grup pasi tashmë shanset për play-off janë shuar.
Por përballja me përfaqësuesen modeste i gjen kuqezinjtë mes “100 problemesh”. Kjo sepse shumë nga titullarët do mungojnë në këtë ndeshje. Emra si Kumbulla, Bare, Broja dhe Veseli nuk do jenë të gatshëm për trajnerin Reja për shkak të dëmtimeve.
Ndërsa Gjasula, Ismajli dhe Cikalleshi nuk do mund të jenë pjesë e takimit për shkak të kartonave dhe do jenë të pezulluar. Në dyshim mbeten edhe dyshja shkodrane Hysaj-Balaj që kanë shfaqur probleme fizike në stërvitjen e fundit.
Pra thuajse një formacion i plotë mungon për kuqezinjtë sonte. Megjithatë kundër Andorrës nuk mund të ketë justifikime, por të merren 3 pikët dhe të sigurohet vendin i tretë në grup. Gjithashtu edhe rekordi i pikëve që mund të jetë 18 në rast fitoreje në Elbasan sonte.
Endri ÇINARI