Vllaznia arriti të fitonte në shifrat 1-2 në përballjen e parë çerekfinale kundër Flamurtarit. Një fitore shumë e rëndësishme në llogaritë për kualifikimin. Trajneri Thomas Brdariç në këtë ndeshje i dha shansin disa futbollistëve që në kampionat nuk janë aktivizuar vazhdimisht. Emra si: Fangaj, Heric, Bulatovic, Çoba apo edhe Djurdjevic u prezantuan si titullarë.

Por ai që vijon të shkëlqejë në këtë kompeticion për kuqeblutë është Zinedin Mustedanagić. Mesfushori boshnjak arriti edhe sot të shënonte në pjesën e parë e po ashtu në të dytin. Këta ishin edhe goli i katërt e i pestë për 23-vjeçarin në këtë edicion të kupës. Numri 32 i skuadrës kuqeblu konfirmohet si njeriu i kupës për shkodranët.

Pas rrjetave kundër Labërisë dhe Pogradecit në turet e shkuara. “Viktima” e rradhës për Mustedanagić ishte Flamurtari. Boshnjaku ka treguar se ka një marrëdhënie të mirë me golin dhe ka arritur të shënojë në rastet kur i është dhënë mundësia.

Edhe në kampionat minutat për ish-futbollistin e Sarajevos nuk është se kanë munguar. Pavarësisht se shpesh është alternuar me futbollistë të tjerë. Patjetër që në sezonin që vijon, Mustedanagić mund të jetë një “armë” plus për skuadrën shkodrane.
Endri ÇINARI