Federata e Basketbollit të Kosovës po mendon mbylljen e kampionateve për shkak të situatës së krijuar nga koronavirus. Por ndërkohë, krejt ndryshe mendon Federata Shqiptare e Basketbollit.
Këtë gjë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i saj Korab Llazani. Ai është lidhur përmes SKYPE në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa.
“Ne jemi pritur se çfarë do të ndodhë me këtë situatë, jemi gjithmonë në kontakt me FIBA dhe po ashtu edhe me institucionet shtetërore këtu. Duam të gara dhe aktiviteti t’i rikthehet normaliteti sepse nuk do të ketë kuptim ta mbyllim garën sepse do të ndikonte për keq tek skuadrat që kanë investuar shumë për të qenë sa më kompetitiv dhe po ashtu edhe për ato të tjerat që duan të vazhdojnë normalisht garën.
Nëse bëhemi gati për të filluar në maj, do të kërkojmë formula të cilat do t’i adaptojmë për të mbyllur kampionatet. Ideja dhe dëshira është që aktivitetin ta çojmë deri në fund. Kuptohet që e rëndësishme së pari është normalizimi i situatës.
Sapo të ndodhë kjo, pastaj do t’i lëmë klubeve një periudhë ndoshta 10 ditore, që besoj është e mjaftueshme për të zhvilluar një minicikël stërvitor dhe pastaj do të jenë të gatshëm për të rinisur ndeshjet”.