Shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në të gjithë botën, ka prishur planet e të ardhmes të një talenti shqiptar, ose më saktësisht i ka shtyrë.

Sulmuesi i talentuar shkodran, Sabah Kerjota, i cili ka qenë pjesë edhe e akademisë së Vllaznisë, pritej të nënshkruante me Parmën, me të cilën do të luante në një nga turnetë më prestigjiozë për të rinj në botë, atë të Viarexhios.

Futbollisti 18-vjeçar i cili luan në kampionatet amatore italiane me Klituno, kishte planifikuar të merrte pjesë në turnen e Viarexhos me Parmën nga 16, më 30 mars. Por aktiviteti u anullua si pasojë e pandemisë, duke i hequr atij mundësinë për të firmosur me klubin e njohur italian që e ka piketuar prej kohësh, të paktën për momentin.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi Kerjota ka shënuar 15 gola me fanellën e skuadrës së tij edhe pse në një moshë të re, duke bërë që shumë klube ta ndiqnin në këtë eksperiencë të tij të dytë në futbollin italian pas asaj me Narnese.

Kerjota nuk ka tërhequr vëmendjen vetëm të klubeve italiane. Edhe Federata Italiane është vënë në lëvizje dhe e ka ftuar me përfaqësuesen rajonale U18 një vit më parë, sinjal i qartë për FSHF se ndoshta duhet të monitorojë më mirë kampionatet përtej Adriatikut për futbollistë të tillë edhe në ligat më të ulëta, para se të jetë shumë vonë. /vipsport/