Vllaznia e sezonit aktual pas 21 javësh kampionat, ka arritur të grumbullojë 22 pikë. Pra diçka më shumë se një pikë për ndeshje.

Në pamjë të parë duket një ecuri jo e mirë. Krahasuar me Vllazninë e një sezoni më parë, kjo aktualja ka 2 pikë më pak.

Në të njëjtën periudhë të një vitit të kaluar, kuqeblutë pra kanë patur 24 pikë. Interesant është fakti se vjet, ata renditeshin të gjashtët ndërsa sivjet janë në të tetin.

Edhe nëse skuadrës aktuale do t’ia shtonim ato dy pikë që i mungojnë krahasuar me vjet, sërish ajo nuk do të ngjitej më lart se vendi i tetë.

E njëjta situatë, nëse Vllaznisë së vjetshme do t’i zbrisnim dy pikët që ka më shumë dhe sërish ajo do të ishte në vendin e gjashtë.

Kjo vërteton më së miri fjalët e trajnerit Gjoka i cili shpeshherë e ka përmendur faktin se kampionati i sivjetëm është më i vështiri i viteve të fundit.

Nëse sezonin e kaluar, Vllaznia ka shpëtuar me 39 pikë, sivjet duket se për të siguruar qëndrimin në Superligë, i duhen medoemos 40 pikë.

Pra, i duhen edhe 18 të tjera. I duhen edhe 6 fitore në 15 ndeshjet e mbetura, çka nuk do të jetë aspak e lehtë por as e pamundur.
© shkodrasport.com