Ka nisur sot në Trabzon të Turqisë turneu i fundit kualifikues i boksit për në Olimpiadën e Londrës që zhvillohet këtë verë. I pari që është ngjitur në ring sipas shortit të hedhur, ka qenë boksieri shkodran Kristian Demaj. Për peshën 81 kg ai është ndeshur me një boksier vendas- turk, me të cilin ka zhvilluar një ndeshje shumë të bukur dhe në fund e ka humbur me rezultatin e ngushtë 4-5.Informacioni vjen nga zëvendëstrajneri i ekipit tonë kombëtar Jozef Sermi, sipas të cilit, në vendimin ndaj Demajt mund të ketë ndikuar edhe fakti se gjyqtaria ka ndihmuar paksa boksierin vendas. Nesër ndërkohë është rradha e dy boksierëve të tjerë të kombëtares shqiptare pikërisht Asmer Bilalit dhe Xhulio Vrenozit. Vrenozi siç dihet konkurron në peshën 64 kg dhe do ndeshet me një boksier nga Armenia ndërsa Bilali do ndeshet me një boksier nga Gjeorgjia në peshën 69 kg. Kundërshtari i Bilalit merret vesh se është shumë i fortë dhe në kampionatet europiane është nderuar me dy medalje bronzi. Përveç këtyre tre sportistëve, do garojë edhe një tjetër dhe pikërisht Taulant Zajmi në peshën 52 kg që do ndeshet më datë 17 prill me një boksier bullgar. Shanset që boksierët tanë të fitojnë të drejtën për t’u kualifikuar për në Olimpiadën e Londrës duken shumë të pakta duke parë nivelin e boksierëve kundërshtarë.

www.shkodrasport.com