9 vite kampion i Shqipërisë me Vllazninë, “Boksier i Shekullit në Shkodër”, kampion bote ne Federaten UBO, janë vetëm disa nga sukseset e karrierës së boksierit Kristian Demaj.

Megjithatë, para pak javësh, presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, i ka akorduar atij titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” gjatë një ceremonie të zhvilluar në Presidencë.

Demaj, i ftuar në studion e “Sport Arena”, u shpreh i lumtur për nderimin e bërë nga presidenti i Republikës, Meta.

“Eshtë një kënaqësi që tashmë institucioni i Presidencës, e njohu zyrtarisht mundin tim dhe tregoi një respekt për karrierën time sportive, me vlerësimin e këtij titullit.

Duhet të pyesim z. Meta pse iu mbush mendja që të dekorohem unë kësaj rradhe. Ishte një kërkesë e Federatës Shqiptare të Boksit, e cila iu drejtua presidencës. Më pas, stafi i presidencën e miratoi dhe në përfundim u dekorova.

Ndjehem mirë, sepse shijoj momentet që kam kaluar me boksin. Të hyj dhe të mendoj se sa vuajtje dhe sakrifica kanë qenë në të kaluarën, në vitet e mëpërparshme, fillon e kalon në një status tjetër të gjendjes tënde emocionale dhe nuk doja të prish atë ditë, duke menduar për të kaluarën”,-tha gjatë prononcimit të tij, boksieri shkodran, Kristian Demaj.
Maringlen ZHIVANI