Tuesday, June 23, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREKroacia në horizont, Kevin Dodaj pritet të ndryshojë sërish skuadër

Kroacia në horizont, Kevin Dodaj pritet të ndryshojë sërish skuadër

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas përfundimit të huazimit te Vllaznia, Kevin Dodaj është rikthyer te CSKA Sofia, klubi bullgar që zotëron kartonin e sulmuesit shkodran. 21-vjeçari kaloi pjesën e dytë të sezonit me fanellën kuqeblu, duke fituar minuta të rëndësishme dhe duke qenë një alternativë në repartin ofensiv të ekipit shkodran. Tashmë, me përfundimin e aventurës së tij në Shqipëri, vëmendja është zhvendosur te hapi i radhës në karrierën e futbollistit.

Sipas informacioneve që mëson gazeta, Kroacia po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion i mundshëm për Dodajn. Interes për shërbimet e tij ka shfaqur Gorica, skuadër që militon në elitën e futbollit kroat dhe që po vlerëson mundësinë e afrimit të sulmuesit gjatë kësaj vere. Për momentin nuk ka asgjë të mbyllur, por pista kroate mbetet një nga më të nxehtat për të ardhmen e lojtarit.

Natyrisht, çdo lëvizje e mundshme kalon fillimisht nga CSKA Sofia. Klubi bullgar vazhdon të besojë te potenciali i Dodajt dhe nuk duhet harruar fakti se verën e kaluar investoi mbi 450 mijë euro për ta transferuar nga Vllaznia. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit do të kërkojnë formulën më të favorshme përpara se të japin dritën jeshile për largimin e tij.

Ndërkohë, merkatoja mbetet e hapur dhe situata e sulmuesit pritet të ndiqet me interes. Në moshën 21-vjeçare, Dodaj vazhdon të konsiderohet një futbollist me perspektivë dhe një kampionat si ai kroat mund të përfaqësojë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij. Për momentin, Gorica duket pista më konkrete, ndërsa mbetet për t’u parë se ku do ta vazhdojë karrierën një nga talentet që në vitet e fundit ka dalë nga futbolli shkodran.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments