Kryeministri i vendit Edi Rama pasditen e sotme ka rihapur sërish çështjen e stadiumit “Loro Boriçi”. Me një postim në profilin e tij në Tëitter, ai ka deklaruar se kantieri i punimeve është tashmë gati për ndërtimin e shtëpisë tjetër të kuqezinjve. Ka shkruar vetëm kaq por pa thënë se kur do të nisin saktësisht punimet. Nisja e tyre është shtyrë disa herë, ndërsa pak ditë më parë shefi i investimeve në FSHF, Arben Dervishaj sqaroi se janë bërë disa ndryshime teknike në projekt dhe më pas duhej të miratohej nga UEFA. Vetëm pas mbylljes së këtij proçesi do të niste puna në modernizimin e stadiumit të Shkodrës që pritet të kushtojë rreth 12 milionë euro dhe të ketë një kapacitet prej 17 mijë vendesh. Ky projekt duket se është dërguar në UEFA për të marrë OK-in përfundimtar megjithatë shtyrja e herëpashershme e nisjes së punimeve dhe reagimi i opinionit sportiv, duket se e ka detyruar Qeverinë të përshpejtojë nisjen e punimeve. Kjo gjë mund të ndodhë javën e ardhshme.