Ndërsa rikthimi i Lionel Messit në Barcelonë mund të duket si një fund i lumtur për një histori dashurie, në aspektin sportiv gjërat mund të mos jenë aq optimale.

E mendon kështu ish-lojtari i Real Madrid Guti, i cili shpjegoi për Infobae arsyet pse një kthim i mundshëm i argjentinasit te Blaugranat mund të mos jetë gjë e mirë.

“Për çdo tifoz të Barcelonës, ky do të ishte një ribashkim i rëndësishëm”, tha Guti. “Por në aspektin sportiv kjo nuk është mirë për Barcelonën. Me kthimin e Messit, klubi do të kthehej në kohën kur skuadra varej vetëm nga një lojtar.

“Ta bësh një gjë të tillë tani, kur duket sikur po ndërton sërish një formacion që është një grup dhe një ekip, nuk do të ishte mirë”.

Dhe përsëri: “Sigurisht, Messi në Barcelonë do të ishte i mirë për La Ligën, edhe nëse e kam të vështirë ta imagjinoj atë në ndeshje të rëndësishme pas një viti. Gjithashtu, nuk e di se si do të përshtaten ai dhe Lewandowski”.