Pjesë nga procesverbali i mbledhjes së para do ditëve të këshillit bashkiak të Shkodrës, qoftë edhe ashtu siç janë të cunguara, mjaftojnë për të kuptuar amullinë që përjeton klubi i futbollit Vllaznia.
Aty ku gjërat duhet të jenë më të qarta se kudo, ngaqë është aty që merren vendimet më të rëndësishme – Vllaznia është i vetmi klub i Superiores që vijion të jetë 100% i Bashkisë – bash aty rrëmuja është e pranishme në ide, shifra e gjithçka.
Pavarësisht se mund të duket paradoksale, ajo që ka çuar në këtë derexhe është… dashuria për futbollin! Si askund në këtë vend, futbolli është realisht një fe predominuese në Shkodër e rrethinat e saj. Vllaznia është një simbol që ka arritur cakun e paprekshmërisë (Një mik shkodran më rrëfente: “Para ndeshjes me Tiranën, ku do të vendosej fati i Vllaznisë për të rënë apo mbetur në Superiore, u përhap lajmi se nëse ndodhte gjëma, tifozët do të shkonin drejt bashkisë për t’i vënë flakën, duke e akuzuar si përgjegjëse për hatanë”.
Për fat, nuk ndodhi as njëra e as tjetra). Një dashuri e tillë e verbër ka çuar në verbëri sa i përket punëve në klub, transformimeve të pritshme, financave e organizimit. Nuk është e rastit që borxhet e Vllaznisë mbijnë nga kohë të shkuara, pikërisht atëherë kur presidentë të fuqishëm fluturonin në krahët e tifozëve të çmendur pas suksesit e trajtoheshin si perëndi prej tyre. Ndaj është e justifikuar që po hiqet picirri për të sistemuar gjërat, ndaj është e justifikuar – deri diku ama – droja e këshilltarëve dhe kryebashkiakes Ademi për të hedhur hapin e shpërndarjes së aksioneve.
E keqja është se pikërisht kjo drojë i ka bërë drejtuesit të marrin e stërmarrin masa, të rrisin kujdesin e vigjilencën, duke sjellë për rrjedhojë, jo vetëm një stanjacion të padobishëm e bezdisës, por dhe një labirinth që të përpin gjithnjë e më shumë brenda vetes.
Edhe pse me risk, shpërndarja e aksioneve dhe rruga e privatizimit është e vetmja që çon në prerjen e kësaj nyjeje gordiane. Edhe pse mund e do të ketë kosto, duhet guxuar. Do të krijohen hapësira e mundësi. Do të çelen dyer: jo vetëm për t’u larguar, siç është rasti i Shtubinës, por më së shumti për të ftuar e afruar ata, bijtë e vet. Dhe Gilman Lika do të jetë i pari, por jo i vetmi.
Shkodra i ka shpërndarë lojtarët që ka prodhuar më keq se zogjtë e korbit. Boll t’i afrojë rreth vetes dhe keni për të parë se si do të ndryshojnë gjërat!
Sepse, duke huazuar Nolin:
Mos u tut, mbahu Vllazni
Se ke djemt’ nëpër Shqipni!