Opinion nga Luan Shpuza

Si njeri i sportit, e kam ngritur dhe do ta ngre zërin kur shoh atë çfarë ndodh në futbollin shqiptar. Mbyllet një sezon i dështuar dhe askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk lodhet ta analizojë këtë çfarë ka ndodhur dhe kjo nuk është normale.

E kam thënë dhe e them përsëri: Drejtuesit aktualë të klubit shkodran janë të paaftë. Ata nuk kanë ditë të menaxhojnë siç duhet paratë e taksapaguesve shkodranë, madje janë tallur me to. A mund të na thotë kush se ku shkuan 600 milionë lekët e këtyre taksapaguesve? Prandaj dhe publikisht do të kërkoja nga ana e kryetarit të Bashkisë Lorenc Luka shkarkimin e Ritvan Troshanit dhe Kujtim Shabës nga drejtimi i Vllaznisë.  Krijimi i shoqërisë aksionere rezultoi një dështim i lehtë. Këta drejtues ndoshta e kishin menduar të lehtë këtë punë dhe i gënjyen njerëzit prandaj dhe duhet të largohen. Janë njerëz të paaftë dhe prandaj duhet të mblidhet urgjentisht një asamble me specialistë dhe njerëz të fushës së futbollit për të vënë pikat mbi “i”. Ky sezon që u mbyll nuk duhet kaluar në heshtje. Në klubin Vllaznia nuk ka funksionuar asgjë. Edhe Akademia që ka qenë model, thuajse po shkon drejt shkatërrimit. Prandaj dhe unë propozoj që Bashkia Shkodër duhet të thërrasë edhe njëherë ish-donatorët, Valter Fushajn, Agron Çelën etj, t’u njohë atyre kontributet dhe t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit sepse e vetme ajo nuk mund ta mbajë Vllazninë dhe për më tepër, nuk di ta bëjë këtë gjë. Drejtuesit e Vllaznisë në vend që të merren me një analizë të këtij sezoni të dështuar, gabojnë sërish duke filluar punë për gjetjen e trajnerit të ri. Unë mendoj se ky është “shoë” i rradhës për ta. Nuk bëhen punët kështu prandaj dhe pres ndërhyrjen e kryebashkiakut Luka, si i vetmi njeri që mund t’i japë zgjidhjen e duhur futbollit shkodran.