Shpëtim Duron nuk e kënaq vetëm rezultati në ndeshjen e parë me Iskrën, sepse skuadra ka bërë një paraqitje pozitive, ndaj do të tentojnë me patjetër kualifikimin në sfidën e kthimit pas një jave në “DG Arena” të Podgoricës. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes, tekniku i kurbinasve ka pretendime për një penallti që nuk është dhënë në favor të tyre në pjesën e dytë, pasi mund të vendoste jo pak. Megjithatë, ai ka besim te kalimi i turit dhe te lojtarët që ka në dispozicion, teksa nuk mendon të bëjë shumë ndryshime edhe në Mal të Zi, për aq kohë sa skuadra i përgjigjet në fushë. Duro, dominuat, por nuk shkuat dot te goli.
A ishte ky problemi kryesor i Laçit në këtë ndeshje?
Sigurisht mungoi finalizimi, edhe për faktin se kundërshtari u mbrojt me shumë forca gjatë gjithë ndeshjes. Dominimi ishte yni, por nuk arritëm të finalizojmë. Edhe me situatat që u krijuan, një moment kam mendimin që ishte një penallti e sigurt dhe u çuditëm që arbitri nuk e akordoi. Këto ndeshjet luhen për disa momente.
Ky barazim ndryshon diçka për Laçin për ndeshjen e kthimit apo për ju është njëlloj?
Patjetër, sepse rezultati pozitiv do të na bënte të ishim më të qetë. Por, çdo gjë është e hapur edhe për ndeshjen e dytë.
Sa besim keni që Laçi do ta kalojë këtë tur?
Patjetër kam besim te kualitetet e skuadrës, me atë se çfarë pashë në fushën e lojës.
Në ndeshjen e kthimit do të ndryshoni diçka?
Kjo është skuadra, unë jam i kënaqur me paraqitjen që patëm në fushë. Nuk më kënaq rezultati, por skuadra ka luajtur gjatë gjithë ndeshjes. Ndaj, kjo do të jetë edhe në ndeshjen e dytë.