Pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve i ka krijuar hapësirën skuadrave që të rikuperojnë energjitë, për t’u përgatitur për javët e fundit të sezonit, që do të jenë dhe më vendimtaret. Krahas përgatitjeve të skuadrave, me shumë gjasa fillimi i prillit do sjellë lajme të mira dhe për disa nga klubet që do të kenë gati stadiumet e tyre.

“Niko Dovana” dhe “Kukës Arena” janë dy impiantet që shumë shpejt pritet që të hapin dyert. Si Teuta dhe Kukësi janë detyruar që këtë edicion të luajnë larg shtëpisë së tyre për shkak të rikonstruksioneve që kanë bërë, konkretisht Teuta fushën, ndërsa Kukësi të gjithë stadiumin.

Kukësi pret vetëm dritën jeshile të ekspertëve grek për tapetin. Supersport mëson se pas vizitës të një jave më parë, në fundin e kësaj jave ata do të kenë sërish një vizitë në Kukës për të dhënë dhe datën përfundimtare se kur do të jetë gati ky stadium.

Gjithçka tjetër ka përfunduar dhe tashmë është çështje ditësh që Kukësi të kthehet në shtëpinë e tij pas gati tre vitesh. Dëshira e drejtuesve është që të luajnë ndaj Tiranës ndeshjen e parë, por ekspertët kanë kërkuar një ndeshje testuese para se skuadrat e superiores të zbresin në këtë terren e duket e vështirë që përballja e javës së 27-të mes verilindorëve dhe kryesuesve të kampionatit të luhet në “Kukës Arena”.

Në anën tjetër fusha e Teutës po ashtu është thuajse gati e me gjasa ndeshjen e radhës në shtëpi do ta luajnë në stadiumin e tyre. Drejtuesit e skuadrës bregdetare nuk kanë dashur të nxitohen, duke i dhënë kohën e mjaftueshme tapetit, në mënyrë që të mos kërkohet ndërhyrje së paku për disa vite. Ndeshja e radhës në shtëpi për Teutën është ndaj Partizanit është programuar për t’u luajtur në fillim të muajit të ardhshëm ndaj Partizanit.

Të kuqtë e kryeqytetit janë një tjetër skuadër që janë në pritje të punimeve të kompleksit të tyre, që do të jetë dhe shtëpia e re për ta. Gjërat kanë shkuar mirë dhe në impantin e demave, të cilët presin po ashtu momentin për t’u zhvendosur përfundimisht në stadiumin e tyre.