Skuadra e Kukësit vazhdon përgatitjet e saj për sezonin e ri me fazën përgatitore që po kryen në Bolu të Turqisë, vend ku ekipi po stërvitet në kushte të përshtatshme dhe po zhvillon ndeshje miqësore për të parë gjendjen e futbollistëve kur mbeten më pak se dy javë nga fillimi i edicionit futbollistik në vendin tonë.

Sot verilindorët kanë zhvilluar ndeshjen e radhës miqësore, duke u vënë përballë klubit turk të Pendikspor, i cili militon në kategorinë e dytë në këtë vend. Një ndeshje të cilën Kukësi ka arritur ta fitojë me shifrat 1-0, falë golit të mesfushori të afruar gjatë merkatos së verës, Jakup Berisha.

Ky i fundit shënoi në minutën e 38 të sfidës golin e vetëm të saj, duke gjetur suksesin e vetëm në këtë fazë përgatitore për ekipin e Gegës, i cili më parë është mundur 1-0 nga Istambulspor si dhe ka barazuar 0-0 me Etifaq. Tani skuadra verilindorë do të kthehet në Shqipëri për të vazhduar përgatitjet për fillimin e kampionatit, ku në javën e parë luan në fushën e vet përballë Tiranës.

Formacioni titullar i Kukësit në miqësoren me Pendikspor:

Tafas, Ndreca, Ilieski, Isiç, Bytyçi, Haxhiu, Gj. Taipi, Kote, Hasaj, Basha, Zivkoviç.