Pas katër ndeshjeve pa fitore, nga të cilat dy i kishte humbur me rezultat të thellë ndaj rivalëve direktë si Laçi e Partizani, Kukësi është rikthyer te fitorja teksa në Kamëz mposhti me rezultatin 0-2, Dinamon. Sa i takon kronikës së ndeshjes, deri në minutën e 17 kur u zhbllokua edhe sfida, munguan rastet e rrezikshme.

Ishte pikërisht ky moment kur verilindorët morën një dhuratë nga Prodani i cili ishte i pafat në momentin kur topi iu përplas në këmbë dhe përfundoi në portën e tij, me portierin Simoni që nuk mundi të reagonte teksa më parë kishte ndalur goditjen e Milunovic.

Në vazhdim, Dinamo provoi me Rimal Haxhiun në minutën e 23, si dhe me kapitenin Ibraimi në të 47-tën, mirëpo të dy futbollistët nuk kishin saktësinë e duhur dhe nuk arritën të vendosnin në provë portierin Tafas. Ndërkohë, në fraksionin e dytë, verilindorët u treguan cinikë në rastin e parë që iu erdhi dhe Milunovic në minutën e 55 mposhti me kokë portierin Simoni.

Sulmuesi shfrytëzoi më së miri një pasim të De Lucas dhe “tundi” për herë të gjashtë rrjetën në këtë sezon. Sakaq, të besuarit e trajnerit Diego Longo gjetën edhe golin e tretë me anë të Feijao në minutën e 68, mirëpo sulmuesi nuk mundi të festonte pasi ishte në pozicion jashtë loje.

Përtej të gjithë përpjekjeve të Dinamos, rezultati nuk ndryshoi dhe Kukësi mori një trepikësh të rëndësishëm për të ruajtur vendin e tretë, por edhe për t’iu afruar më shumë Laçit të vendit të dytë. Aktualisht, verilindorët kanë 42 pikë, ndërsa Dinamo mbetet në pozita të vështira teksa renditet në vendin e tetë me 23 pikë.