Humbja me Tiranën duket se ka komplikuar totalisht ecurinë e Laçit, që për të tretën ndeshje radhazi nuk shkon dot përtej barazimit, ndonëse kalendari u ka rezervuar skuadra të fundit të tabelës së renditjes.

Pas barazimeve ndaj Egnatias dhe Kastriotit, sot ka qenë radha e Skënderbeut të vendit të fundit që të marrë një pikë në Kurbin, në ditën që trajneri Skënder Gega debutoi në stolin e korçarëve, ku mori vendin e Migen Memellit.

Kurbinasit ishin më të qartë në lojën e tyre, por jo në konkretizim, pasi Adeleke humbi disa raste shënimi, ndërsa korçarët bënë ndeshjen e tyre tipike, duke u mbrojtur me shumë forca dhe kundërsulmuar rrezikshëm.

Në minutën e 68’, ishte mbrojtësi Velkoski që komplikoi ndeshjen për Laçin, pasi u ndëshkua me karton të kuq, megjithatë skuadra e Josës kërkoi deri në fund golin dhe e gjeti në shtesë, por gjithçka u anulua me ndërhyrjen e sistemit VAR, që evidentoi një pozicion jashtë loje të Guindo.

Ky barazim lë Laçin në vendin e dytë, por tashmë 10 pikë larg Tiranës kryesuese dhe thuajse tërësisht jashtë garës për titull, ndërsa Skënderbeu merr një pikë shprese, por mbetet në vendin e fundit.

Abissnet Superiore

Java e 25

Laçi-Skënderbeu 0-0