Kukësi është munduar që të bëjë një merkato të kujdesshme deri më tani, duke u përpjekur të rikuperojë sa të mundet nga largimet e shumta gjatë kësaj merkatoje vere.

Megjithatë, verilindorët duket se nuk i kanë mbuluar ende të gjitha boshllëqet në skuadër, ndaj deri në mbyllje të saj, do të qëndrojnë në pritje për të kryer ndonjë tjetër përforcim.

Deri më tani, verilindorët kanë bërë përforcime në të gjitha repartet e fushës, ku vetëm tre prej tyre vijnë nga kampionati shqiptar: Kristi Kote nga radhët e Partizanit, Agnaldo Moraesh nga Skënderbeu dhe Arbër Basha nga radhët e Kastriotit.

Për dy të parët, trajneri Skënder Gega ka informacionin e mjaftueshëm dhe i njeh mirë, pasi të dy i ka stërvitur më herët. Edhe për Bashën, pasi ka luajtur në kampionatin shqiptar.

Për këtë arsye, pritet të mos e ketë të vështirë t’u gjejë pozicionin e duhur në fushën e lojës dhe t’i përshtatë menjëherë me pjesën tjetër të skuadrës.

“BASTI”

Sa u përket afrimeve të tjera, mund të konsiderohen si një bast i klubit dhe vetë trajnerit, pasi mbetet për t’u parë përshtatja e tyre në skuadër dhe se çfarë do të japin në fushë.

Të gjithë kanë të dhëna të mira për pozicionet ku luajnë, ndaj kjo periudhë përgatitore do të shërbejë për Gegën dhe skuadrën që t’u gjejë pikat më të forta dhe të marrë maksimumin.

Thuajse të gjithë lojtarët e afruar janë marrë për të luajtur një rol të rëndësishëm në ekip dhe për të qenë titullarë. Në një farë mënyre, afrimet në merkato, kryesisht të huajt, janë edhe një bast për Kukësin dhe trajnerin, edhe për faktin se të gjithë kanë kontrata dyvjeçare dhe shihen si pjesë e një plani përtej një sezoni.

Gjithsesi, deri sa të startojë kampionati, Kukësi ka kohë për t’i parë konkretisht në fushë, me shpresën se do të marrë maksimumin nga ta.

PËRGATITJET

Pas një jave përgatitjesh intensive, Gega i ka lënë pushim të dielën lojtarët, në mënyrë që të relaksohen paksa, për t’u rikthyer sërish sot në fushë.

Brenda kësaj jave, klubi ka programuar të zhvillojë edhe një takim miqësor, për të parë më konkretisht skuadrën në fushë. Nga miqësoret që do të zhvillohen këto ditë në Shqipëri, pritet të shihen edhe lojtarët e rinj që janë në mëdyshje për t’u grumbulluar në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Turqi.