Superliga shqiptare nuk ka nevojë të mbushet me trajnerë të huaj. Për mendimin tim, disa presidentë klubesh po vazhdojnë të bëjnë të njëjtat gabime që janë parë edhe në vitet e kaluara. Në shumicën e rasteve, trajnerët e huaj nuk e njohin kampionatin shqiptar, mentalitetin e futbollistit shqiptar dhe as realitetin e futbollit në Ballkan.
Shpesh u duhet shumë kohë për t’u përshtatur dhe kjo i kushton klubit si në rezultate, ashtu edhe financiarisht. Edhe pse infrastruktura po përmirësohet vit pas viti falë investimeve të FSHF-së, futbolli shqiptar ka ende veçoritë e veta. Një ekip ndërtohet mbi një bërthamë lojtarësh që luajnë së bashku prej kohësh, me bazë futbollistë vendas që njohin fanellën, kampionatin dhe presionin e garës.
Shumë trajnerë të huaj preferojnë të ndërtojnë ekipin nga e para, duke sjellë lojtarë të rekomanduar nga rrjeti i tyre i menaxherëve. Kjo rrit kostot për klubet dhe shpesh pengon aktivizimin e talenteve të akademive. Pikërisht nga akademitë klubet mund të nxjerrin lojtarë, t’i shesin jashtë vendit dhe të sigurojnë të ardhura të rëndësishme.
Shqipëria nuk vuan për trajnerë cilësorë. Ka emra me eksperiencë dhe rezultate si Skënder Gega, Armando Cungu, Ortion Kerrnaja, Gentian Mezani, Shpëtim Duro, Orges Shehi dhe Klodian Duro, të cilët e njohin shumë mirë futbollin shqiptar dhe dinë të punojnë me lojtarët vendas. Një tjetër problem mbetet ndërhyrja e presidentëve në punën e trajnerëve.
Mentaliteti “topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë” duhet të marrë fund. Trajneri duhet të ketë autoritet të plotë për të ndërtuar ekipin dhe për të marrë vendime sportive pa presione. Presidentët investojnë miliona nga xhepi i tyre dhe normalisht kërkojnë rezultate. Por në shumë raste, shpenzimet e mëdha për trajnerë dhe lojtarë të huaj nuk japin atë që pritet.
Më shumë besim për trajnerët shqiptarë, më shumë investim te akademitë dhe më shumë durim me projektet afatgjata do t’i shërbenin më mirë futbollit shqiptar. Ky është vetëm një opinion, por besoj se futbolli ynë do të përfitonte më shumë duke vlerësuar kapacitetet që ka brenda vendit, sesa duke përsëritur gabime që janë parë edhe më parë.


