Luajtja e ndeshjes Shqipëri- Turqi tashmë i ka hapur mundësinë edhe ndeshjeve të kampionatit shqiptar për t’u zhvilluar në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”.

Kjo vërtetohet më së miri në kalendarin e javës së 26-të të Superligës, ajo në mes Kukësit dhe Partizanit, që kuptohet është edhe ndeshja më e rëndësishme e kampionatit në mes dy ekipeve pretendente për titull, do të zhvillohet në këtë stadium ditën e premte më datë 29 mars në orën 18.00

Të paktën ky është njoftimi i dalë përmes faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe duket se nuk ka më asnjë dilemë në lidhje me këtë gjë.

Por nga ana tjetër, të shtunën sipas kalendarit të kategorisë së parë, në Shkodër do të luhet ndeshja Vllaznia- Besëlidhja, e vlefshme për javën e 21-të të saj.

Ekipi shkodran deri më tani nuk është lejuar të luajë në “Loro Boriçi”, pikërisht për shkak të ndërhyrjes në fushën e tij para ndeshjes së kombëtares tonë.

Por tashmë që ajo ndeshje ka përfunduar, shkodranët pretendojnë t’i luajnë ndeshjet e mbetura të këtij kampionati në këtë impiant sportiv dhe jo më në “Reshit Rusi”.

Megjithatë duhet pritur vendimi i FSHF-së. Për të shtunën, një ditë pasi aty të kenë luajtur Kukësi dhe Partizani, vështirë se bëhet dhe prandaj ekziston mundësia që Vllaznia- Besëlidhja të luhet të dielën.

Nuk përjashtohet mundësia që kuqeblutë të luajnë sërish në “Reshit Rusi” edhe në tre ndeshjet që i kanë mbetur për të luajtur në Shkodër deri në fund të këtij kampionati.
© shkodrasport.com