Reali i Madridit i ka idetë e qarta sa i përket sezonit të ardhshëm. Presidenti Florentino Perez do t’i duhet të hapë thesin dhe të shpenzojë milionat për talentin e radhës që do të mahnitë “Santiago Bernabeun”.

Pas një sezoni të kaluar në hije, dhe mbi të gjitha pa zëvendësuar Kristiano Ronaldon, Reali tashmë me në krye trajnerin Zinedin Zidan, duket se do të kthehet të tregohet “galaktik” në merkaton e verës.

Emri që përflitet menjëherë pas emërimit të Zidan, ishte ai i Kampionit të Botës, Kilian Mbape, i cili mund të ndikohet nga prania e francezit ë krye të Realit, dhe tashmë duket se gjërat po kthehen në serioze. Ka qenë revista prestigjioze “France Football”, që ka zbuluar se shumë shpejt pritet të nisë ajo që mund të quhet si “operacioni Mbape”.

Sipas revistës franceze, sulmuesi qëndron në majën e të preferuarve të Zidan, i cili në sezonin e ardhshëm kërkon të ndërtojë skuadrën rreth yllit Mbape. Ndërkohë, duket se Reali është i gatshëm të shpenzojë deri në 280 milionë euro për të realizuar transferimin në Madrid të një prej futbollistëve më cilësorë në Botë./VipSport/