Erzeni vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë, që do të zhvillohet të premten në 16:00 në stadiumin “Arena Egnatia”. Këtë sezon klubi shijakas do të jetë pritës në Rrogozhinë, ndërsa kampionatin e kaluar si shtëpi kishte Durrësin.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit mësohet se ka pasur disa lëvizje sa i përket përbërjes ë skuadrës. “Panorama Sport” zbulon se pas gati një muaji stërvitjeje me shijakasit dhe aktivizim në miqësoret e verës, janë larguar nga skuadra mesfushori Aristoteles Romero dhe mbrojtësi Ismael Paez, të dy nga Venezuela.

I pari ka qenë pjesë e Partizanit në Superiore, ndërsa mesa duket nuk ka bindur drejtuesit për të firmosur një kontratë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Paez. Gjithashtu edhe mbrojtësi kolumbian, Huan Balanta, i cili vinte nga Burreli dhe u afrua që në ditën e parë të stërvitjes, nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Më parë me klubin nuk kishin arritur marrëveshje as Donaldo Açka dhe Aldrit Oshafi.

Gjithsesi, drejtuesit po bëjnë gjithçka që deri para ndeshjes me Vllazninë të federohen në kohë tre argjentinasit që kanë firmosur me Erzenin: Rodrigo Migone (sulmues), Federiko Akosta (mbrojtës) dhe Agustin Rojas (mesfushor). Ndërkohë, braziliani Andrei Alba mësohet se është federuar dhe është i gatshëm për të luajtur të premten. Sot është dita e fundit e transferimeve dhe gjasat janë të mëdha që klubi të bëjë ndonjë goditje tjetër në repartin e sulmit.