Pas vetëm një sezoni tek Skënderbeu, volejbollisti Gledis Lloshi ka vendosur të rikthehet sërish te Vllaznia. Skuadra shkodrane ka nisur përgatitjet për sezonin e ri vetëm para pak ditësh dhe pjesë e saj në stërvitje është edhe 29 vjeçari.
Padyshim që ky është një lajm i mirë për ekipin e Vllaznisë i cili ka nevojë për përforcime dhe kuptohet që Lloshi do të japë kontributin e tij në rolin e pasuesit, falë edhe eksperiencës që ai ka.
Kujtojmë që Gledis Lloshi ka qenë pjesë e Vllaznisë kampione të vitit 2017, atëherë kur ish- trajneri Mark Kroqi i besoi rolin e titullarit në shumë ndeshje dhe ai e justifikoi plotësisht duke qenë në këtë mënyrë pjesë e atij suksesi të vetëm dhe historik.
Por pas atij suksesi me Vllazninë, volejbollisti shkodran ka provuar të luajë edhe me Erzenin në sezonin 2019-2020, ndërsa në sezonin e kaluar u bë pjesë e Skënderbeut bashkë edhe me dy shkodranët e tjerë, Tuad Drinazi dhe Klaudio Prekën.
Lloshi tashmë është rikthyer sërish te Vllaznia duke u vënë në dispozicion të trajnerit Kalaja dhe sigurisht që me këtë përforcim skuadra është edhe më e plotë në prag të startit të sezonit të ri./SHKODRA-SPORT.COM/