Koronavirusi do të ndryshojë rrënjësisht futbollin, të paktën në vitin 2020. FIFA ka marrë në shqyrtim një sërë propozimesh që mund të ndihmojnë për të mbyllur sa më të sigurt sezonin aktual dhe për të vazhduar gjatë vitit 2021 apo derisa pandemia të ketë kaluar.

Stadiumet sigurisht do të mbeten të mbyllur në pjesën më të madhe të botës, por edhe masat do të rreptësohen, ndërsa rregulloret do të pësojnë ndryshime të cilat FIFA i cilëson të realizueshme.

Vetë organizata ndërkombëtare do të publikojë javën e ardhshme një sërë udhëzimesh për sigurinë dhe higjenën, një lloj protokolli që mund të përshtatet nga federatat në të gjithë botën. Por njëkohësisht, do të tregojë edhe se cilat rregulla do të provohen në kampionatet aktuale si lehtësime për axhendën e ngjeshur dhe kushtet e sigurisë shëndetësore.

Kështu, mësohet se në parim është miratuar rregulli i pesë zëvendësimeve në ndeshje, por nuk do të lejohet humbja e kohës me zëvendësime të njëpasnjëshme. Ndaj do të lejohen zëvendësime vetëm në 3 periudha, në një total prej 5 zëvendësimesh brenda 90 minutave.

Ajo që nuk i ka pëlqyer FIFA-s dhe që e ka hedhur poshtë, është që ndeshjet të zhvillohen vetëm me 45 minuta, një ide që lindi në Angli kohët e fundit.

Ndërkohë por shqyrtohen ende idetë për dënimin e lojtarëve nëse pështyjnë në fushë, por në FIFA janë të bindur se vetë futbollistët do të ndryshojnë disa nga sjelljet e tyre. Të gjithë janë të sigurt se lojtarët do të jenë më të vëmendshëm ndaj higjenës, e si rrjedhojë mund të mos jetë nevoja që të merren masa aq drastike sa të jepen kartonë të verdhë për sjellje të tilla. /vipsport/