Këto ditë po flitet dhe shkruhet shume për KS Dinamo, mendova të shkruaj në mënyrë të përmbledhur për të kuptuar esencën e klubit. Si lindën? Çfarë përfaqësojnë dhe përse lidhemi me një klub.
Klubet lindën nga dëshira e komuniteti për tu përfaqësuar mbasi në thelb klubi është një hapësirë komunikimi dhe shoqërizimi; një ide, një filozofi, një mënyrë të luajturi dhe të qenuri. Jo rastësisht në Angli, aty ku filloi futbolli modern dhe u krijuan klubet e para, shume prej tyre u themeluan në Kisha apo edhe ne Pube.
Filozofi anglez Simon Critchley, një nga më interesantët e shekullit XXI, në librin e tij ‘What We Think About When We Think About Football’, shkruan: “futbolli është lëvizja e ‘socius’, shoqërimi i lirë i njerëzve. Arsyeja pse futbolli është kaq i rëndësishëm për kaq shumë prej nesh tregon pikërisht që në thelb të tij është përvoja shoqërore dhe ndjenja e gjallë e komunitetit që ofron.
Është kjo një nga arësyet përse kaq shume njerëz ndajnë të njëjtin pasion për një ekip dhe bashkohen me të pavarësisht profesionit, clasës sociale, ideologjisë apo fesë.” Për këtë arësye ‘rrënjët’ e tij duhet të jenë të futura thelle në komunitetin që përfaqëson dhe duhet të shërbejnë si qendra të komunitetit, si vendi ku njerëzit mblidhen për të ndjekur ndeshjet, për të ndërthurur historitë personale me historinë e klubit, dhe për të ndarë emocione të përbashkëta të fitores dhe humbjes.
Po të lexoni histori të klubeve, shume interesante dhe himnet e tyre, do të kuptoni se ai nuk është thjesht një klub futbolli por pjesë e kulturës dhe identitetit të një komuniteti. Mario Benedetti, një nga shkrimtarët uruguaianë me ndikim të madh në futboll, “identifikimin e sportdashësit me klubin e qytetit të tij e ngre në një nivel përtej futbollit dhe e shikon si një lidhje të individit me një kolektiv që i jep kuptim ekzistencës së tij, si ai që e kërkon atë te feja”. Kjo ndjenjë e përkatësisë dhe identifikimit është ajo që bën që lidhja mes tifozit dhe klubit të jetë e fortë dhe e thellë dhe shpjegon përse e mbështesim një ekip. Jo domosdoshmërisht sepse fiton, por sepse e ndiejmë që është i yni dhe që ne jemi pjesë e tij!
Lind pyetja pse janë themeluar kaq shume klube? P.sh.: 42 klube në Londër, rreth 13 në Athinë, vetëm brenda qytetit të Madridit ka 3 klube: Real Madrid, Atlético de Madrid y Rayo Vallecano, dhe mjaft të ndryshëm nga njëri tjetri. Po të lexojmë historine do të shikojmë se edhe në Shqipëri, fillim të viteve 1920, shumica e qyteteve kishin jo një por disa “Shoqëri Sportive”. Mund të vazhdoje pafundësisht me shëmbuj! Kjo ndodh -shkruan A. Ragkousis në artikullin ‘What is a football club after all?’- sepse komunitete të ndryshme kishin grupe të ndryshme vlerash që ishin thelbësore për identitetin e tyre kolektiv.” Këto vlera dhe përvoja kolektive u ngulitën në vetë strukturën dhe kulturën e klubeve të futbollit.
Po marrë si shembull klubin gjerman që dikur përfaqësonte një distrikt në zonën e Ruhrit: Schalke 04, një nga institucionet sportive më të admiruara dhe më të respektuara në skenën e futbollit europian, një nga klubet europiane me numrin më të madh të anëtarëve! Emri zyrtar i klubit është: ‘Fußballclub Gelsenkirchen-Schalke 04 e. V.’. Në vitin 1924 ata PËRFSHINE NË EMRIN E KLUBIT DHE EMRIN E QYTETIT PËR T’I DHËNË MË SHUMË PRESTIGJ QYTETIT TË TYRE.
Në faqen e BundesLiga ndër të tjera shkruhet: “Origjina dhe historia e FC Schalke 04 kanë farkëtuar vlerat e një klubi të lidhur me një shtresë sociale të përcaktuar qartë: minatorët e minierave të qymyrit. Përkushtimi, puna e madhe, këmbëngulja dhe besnikëria, ndër të tjera, janë në ADN-në e klubit të Gelsenkirchen. Ata janë krenarë për origjinën e tyre dhe mbrojnë traditën e klubit me fanatizëm. Një herë në vit i gjithë ekipi zbret në një nga minierat e qymyrit, ende në përdorim, për të përjetuar nga afër çdo ditë një nga profesionet më të vështira në botë. Për këtë arësye motoja e FC Schalke 04 është: “I lindur nga qymyri, i pagëzuar me ujë nga Emscher (lumi që kalon pranë)”.
Po tek ne si mbrohen traditat dhe përfaqësohet komuniteti kur Dinamo (për të cilën do shkruaj një herë tjetër) e heqin nga Kryeqyteti, vendi ku lindi, dhe e çojne në Pezë dhe andej në Arbanë? Një klub i Durrësit apo dhe i Tiranës ikin për të luajtur në Elbasan? Apo Kukësi që luan në qytetin e tyre dhe stërviten në Tiranë? Po ashtu dhe Laçi! Kur Korabi bredh nëpër Shqipëri duke kërkuar stadium për të luajtur? Stadiumi i Besës është kthyer në kullotë për bagëtinë…!Kruja…! Etj.
Ndryshimet e shpejta dhe të thella në shoqërinë e sotme, periudha e komercializimit të shpejte të futbollit dhe interesi ekonomik i kompanive apo individeve të pasur për të blerë klube futbolli ka ta filluar te vëri në rrezik këtë histori dhe traditë të bukur të klubeve (formati i superligës është një shembull). Është kjo arësyeja që klubet vazhdimisht përmirësojnë strukturat e tyre dhe punojnë shume për ta mbajtur dhe forcuar lidhjen me komunitetin dhe transmetuar vlerat e tij.
Tek “Manifest Futbolli për të gjithë”, sociologu i njohur, David Goldblatt, iu kujton “sheikëve arabë, manjatëve amerikanë, rusë, apo kinezë, kësaj ‘elite të vogël’ që po rrëmben përfitimet e globalizmit, se klubet angleze që ata po blejnë kanë një borxh besnikërie ndaj një komuniteti që iu paraprin atyre. Futbolli është një aktivitet veçanërisht i bukur, pjesë e kulturës sonë, një trashëgimi e mrekullueshme prej më shumë se njëqind vjetësh, një tërësi identitetesh e solidariteti të fuqishëm, një lojë komplekse e ritualeve kolektive dhe bisedave publike që merret me NE, jo me MUA, në një botë thellësisht individualiste dhe të ndarë.”
2.
Historia e themelimit të klubeve sportive shqiptare është po aq e ngjashme me atë të klubeve europiane. Klubet tona u formuan nga elita e shoqërise shqiptare të kohes. Intelektuale të shquar që kishin studiuar jashtë vendit si dhe tregëtarët që punonin me vëndet fqinje.
Po marr si shembull Shkodrën; këtë qytet të bekuar dhe me shumë kontribute në historinë e kulturës dhe artit në vendin tone ku natyrisht ishte e pamundur të përjashtohej sporti. Shkodra nuk është vetëm porta nëpërmjet së cilës hyri futbolli në Shqipëri por edhe qyteti ku u krijua dhe shoqëria e pare kulturore-sportive, në vitin 1919, me emrin aq të bukur dhe kuptimplote: “Shoqnia Vllaznia”, pjesë e se cilës ishte dhe futbolli.
Anëtarët e kryesisë së Shoqnisë së re ishin emra të SHQUAR të vendit në politike, ekonomi, kulture, art e sport. Nuk po i përmend të gjithë por sa për tu kujtuar disave në krye të klubeve se Kryetari i parë ishte vetë zoti Hil Mosi; intelektual patriot, politikan dhe publicíst. Themeluesit i kishin qëllimet të qarta: “zgjimin e djelmnisë shqyptare në fushën letrare, theatrore, muzikore e gjimnastike”- siç shkruhet në komunikatën e themelimit. Mendoj se ata ishin vizionare dhe shikonin më larg, jo vetëm për të ngjallur kulturën dhe identitetin e komunitetit lokal. Ata përpiqeshin të plotësonin nevojën për një ndjenjë përkatësie dhe identiteti kombëtar po të marrim parasysh situatën e vështirë të vendit. Nuk duhet të harrojmë që jemi në vitin 1919 kur Shqipëria ende luftonte për ekzistencën e saj (e kam hasur këtë dhe në historinë e futbollit Gjerman)!
Themeluesit bën dhe një akt tjetër të madh historik, Shoqnia e re ishte bashkim i dy shoqnive të mëparëshme atdhetare me baza të ndryshme besimi. Sot sikur të mos kishim mësuar asgjë nga këta kollosë, ka ndonje klub në Shqipëri që ka përdorur simbolet e një besimi të caktuar dhe që çirren në stadium me thirrje fetare…! Si mund të lejohet një gjë e tillë nga Institucionet drejtuese të sportit dhe të futbollit? Është zbatuar ligji i shtetit dhe statut i FSHF?
Në diktaturë, pa harruar për asnjë moment pasojat e saj tragjike për shqiptarët, duke qenë se institucionet private nuk ekzistonin, Shoqëritë /Klubet Sportive u transformuan në ndërmarrje shtetërore (me buxhet të garantuar nga shteti) dhe për këtë arësye nuk kishin pavarësi të plotë në aktivitetin e tyre. Klubet kishin strukturë shumë të mirë organizative ku përfshihej: shefi i klubit, inspektori, trajnerët e ekipeve zinxhir, ekonomisti, magazinieri, në shume klube dhe guzhinieri e këpucari. Sporti, në rastin tone futbolli, mori një zvillim shumë të madh në drejtim të masivizimit dhe cilësisë. Në krye të klubeve ka patur administratore shumë të mirë. Po kujtoj vetëm njërin prej tyre: shefin e njërit prej klubeve më të shquar të sportit tonë SK Tiranës: Lame Konomin! Do ta quaja modelin më të mirë të administratorit të një klubi pavarësisht formës legale të institucionit.
Por megjithë funksionimin e mire organizativ klubet kishin një problem: lidhjen e tyre me tifozët. Klubi nuk kishte “jetë”. Çfare dua të them me këtë? Mijërat e shikuesve që mbushnin shkallët e stadiumeve dhe fushave anekënd Shqipërise kur mbaronte ndeshja dhe deri në ndeshjen e rradhës nuk kishin më asnjë lidhje me klubin. Në periudhën e diktaturës funksiononin pak organizata dhe ato ishin me karakter partiak dhe të kontrolluara prej saj. Kështu, duke qenë se regjimi nuk lejonte krijimin e shoqatave me dëshirën e lirë të njerëzve, humbem momentin për krijimin e shoqatave të tifozave, anëtarësimin dhe teserimin e cila do tu jepte atyre mundësine për të qenë pjesë aktive e funksionimit të klubit dhe të ushtronin, sipas formës legale të klubit, kontroll mbi të.
Vijon me ngjarjet e mbas viteve 1990…
*Ish- sekretar i pergjithshem i FSHF