Raundi i 1/8 të kupës së Shqipërisë nuk sjell asnjë surprizë përsa i përket ekipeve të kualifikuara. Të gjitha skuadrat e elitës së futbollit tonë i kanë kaluar provat e tyre në këtë raund duke kaluar kështu në çerekfinalet e këtij kompeticioni për këtë edicion.

Kështu, Tirana që është kryesuese e kampionatit që e kishte vulosur kualifkimin që në ndeshjen e parë me Lushnjen, arriti të fitonte edhe ditën e sotme. Bardheblutë triumfuan në shifrat 1-0 kundër lagunarëve falë një goli të Lushkjes. Shembullin e Tiranës mori edhe ekipi tjetër i kryeqytetit, Partizani që fitoi në shifrat e pastra 3-0 kundër Korabit.

Në shifrat e thella fitoi edhe Kukësi që mposhti 5-0 ekipin e Apolonisë, duke vijuar formën e mirë të kampionatit edhe në kupë. Edhe Laçi mori një fitore kundër Tomorit në shifrat 2-1, duke kaluar kështu në raundin tjetër të kupës. Shifrat e bardha 0-0 mes Kastriotit dhe Dinamos bëjnë që të jenë krutanët ata që kalojnë më tej, nga fitorja 1-3 në ndeshjen e parë.

Më të komplikuar e kishte Egnatia, që me barazimin 1-1 në Rrogozhinë kundër Skënderbeut kaloi në çerekfinale. Kjo falë fitores 0-1 të ndeshjes së parë në Korçë.

Për të kompletuar panoramën e plotë të ekipeve të kualifikuara duhet të presim ndeshjet edhe nesër ku Vllaznia pret Bylisin pas fitores 0-2 në Ballsh. Dhe Teuta pret Erzenin, me gjithçka të hapur në kët çift ku ndeshja e parë është mbyllur me rezultatin 1-1.
Endri ÇINARI