Pas Paulin Ndojës, edhe një tjetër figurë e shquar e futbollit shkodran siç është Selami Dani, është nderuar me zhvillimin e një kupe me emrin e tij. Zyra Rajonale e Federatës Shqiptare të Futbollit në Shkodër nën drejtimin e Hysen Zmijanit e kishte nisur prej javësh këtë kupë e cila ka përfunduar pasditen e së enjtes me zhvillimin e ndeshjeve finale dhe dorëzimit të kupave për më të mirët e saj.

Gjatë ceremonisë, përveç mjeshtrit Selami Dani dhe familjarëve të tij, kanë marrë pjesë edhe shumë figura të njohura të futbollit shkodran. Në të janë dhënë dy diploma edhe për arbitrat më të mirë, ku si kryesor është vlerësuar Elvin Bushati dhe si asistent Amer Hajdarogiq.

Ndërkohë, lojtarët e perspektivë sipas grupmoshave U9, U15 dhe U17 janë vlerësuar Aron Sukaj i ekipit Shkodra, Ersi Zaganjori i ekipit Vllaznia dhe Aldo Nika i ekipit Djelmnia.

Sakaq, diplomat për sportistët më të mirë të kupës kanë shkuar për Arber Lekajn i ekipit Atletik si futbollisti më i mirë i grupmoshës U9, Klodjan Pjetri i ekipit Shënkolli për grupmoshën U15 dhe Besar Popajn i ekipit Scutari për grupmoshën U17.

Sa i takon ekipeve fituese, në finale për grupmoshën U9 ekipi Shkodra ka fituar ndaj Atletik duke merituar edhe kupën e vënë nga organizatorët, për grupmoshën U15 Shënkolli ka fituar ndaj Vllaznisë dhe për grupmoshën U17 Skutari ka fituar ndaj Djelmnisë.

Kupat për ekipet fituese i ka dorëzuar vetë protagonisti për të cilin është zhvilluar ky aktivitet, mjeshtri Selami Dani i cili është shprehur shumë i emocionuar për këtë organizim.

Organizimi i kupave të tilla në nderim të figurave të shquara të futbollit shkodran sa ato janë gjallë, padyshim që u jep shumë emocione dhe i bën të ndihen mirë për atë çfarë kanë dhënë për Vllazninë dhe Shkodrën dhe padiskutim që meritën më të madhe për këtë gjë e ka Hysen Zmijani, një njeri që di t’i respektojë këto figura.
www.shkodrasport.com