Fati e desh që ndeshja mes Shqipërisë dhe Turqisë të luhej në Shkodër, në stadiumin e klubit ku drejtor sportiv është pikërisht një turk, Engin Firat. Drejtuesi i klubit shkodran ka qenë “mikpritësi” i bashkatdhetarëve të tij dje gjatë stërvitjes, ndërsa ka parë nga afër skuadrën për të cilën mendon se ka pësuar ndryshime të mëdha me kthimin në pankinë të Senjol Gynesh.

“Sigurisht, në Ligën e Kombeve kishim shumë probleme. Raporti i Luçeksut me lojtarët u prish. Ka ardhur Gynesh, ai është mik i mi dhe pashë që atmosfera në skuadër është pozitive. Kemi shumë lojtarë krijues, na pëlqen të luajmë futboll, më shumë na pëlqen të jemi skuadër sulmuese se sa në mbrojtje. Nëse Turqia shfaqet e aftë në çdo aspekt të lojës së skuadrës, do të ketë rezultatet pozitive”, tha Firat për “SuperSport”.

Ai nuk preferon të bëjë parashikime, por deklaroi se si turk, do të bëjë tifo për vendin e tij. “Luan Shqipëria në shtëpi dhe mendoj se ka lojtarë të mirë, taktikisht jeni skuadër e mirë edhe pse në ndeshjet e fundit keni shfaqur probleme.

Edhe ju keni elementë që të ndihmojnë për të arritur rezultat. Unë bëj tifo për vendlindjen por përtej kësaj mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur për të dy tifozeritë”, deklaroi Firat. /vipsport/