Ajo që ndodhi sot në Gjilan ishte thjesht neveritëse të shikohej e përjetohej nga të gjitha palët e përfshira.
Në atë që pritej të ishte spektakël futbolli, në përballjen tejet të rëndësishme për titull mes Gjilanit dhe Ballkanit, doli të ishte turpi dhe njolla e zezë e futbollit kosovar.
Pas vetëm 27 sekondave lojë, Ballkani kishte kaluar në epërsi me anë të Ermal Krasniqit, i cili qëlloi me kokë pas asistimit brilant të Armend Thaqit nga krahu i djathtë.
Ndeshja në vazhdim u përcoll me raste të njëpasnjëshme, e insistim të Gjilanit për të barazuar, por pa sukses deri në përfundim.
Në kohën shtesë të ndeshjes, Gjilani kishte atë që u duk se ishte mundësia e fundit në lojë për të nxjerr të paktën një barazim.
Nuk u kursye askush që të hidhej në sulm, madje as portieri i “Skifterave”, Enea Koliqi.
Përgjegjësia ishte e Gerhard Prognit që të lansonte në zonë një krosim nga këndorja dhe e bëri, teksa gjeti portierin Koliqi, i cili – në mënyrë sensacionale dhe skena të rralla – shënoi me kokë.
Ajo që pasoi ishte e rëndë të shikohej, më e pakta që mund të themi.
Fansat u futën në fushë për të festuar, por festa nuk ishte në mendjen e të gjithëve, teksa Ismet Munishi dhe stafi i tij po vraponin në ekstazë.
Në pamjet e publikuara shihet momenti kur portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri, sulmohet brutalisht nga dy banditë. Fillimisht ai goditet nga prapa nga njëri, para se i dyti ta shqelmojë në kokë, derisa ai ishte i shtrirë.
Frashëri mbeti i shtrirë dhe ashtu qëndroi edhe për ca kohë, derisa ambulanca u fut në fushë dhe e barti me makinë për trajtim të mëtutjeshëm.
Shqelmat ndaj tij nuk ishin vetëm goditje mbi shëndetin dhe mirëqenien e 31-vjeçarit, por mbi futbollin kosovar në përgjithësi, pasi skenat e tilla janë kthesë prapa 20-30 vite, derisa ende po luftonim për njohje ndërkombëtare por duke u përballur me fenomene të tilla.
Kush është Stivi Frashëri?
Portieri i skuadrës nga Suhareka kishte nisur karrierën me Skënderbeun e Korçës si 14-vjeçar, ku ai luajti për dy vite deri më 2007, para se të transferohej te klubi grek, Aris Thessaloniki.
Ai ishte pjesë e grupmoshës së re të kësaj skuadreje, por gjithashtu u ftua të stërvitej me ekipin e parë, pasi impresionoi në ndeshjet me të rinjtë. Frashëri kaloi tri vite me Aris Thessalonikin, para se të largohej në verën e vitit 2010, për t’u rikthyer në Shqipëri në kërkim të minutazhit.
Ai iu bashkua skuadrës që sapo ishte promovuar në Superioren shqiptare, Bylis Ballsh, dhe menjëherë e stabilizoi veten si zgjedhje numër 1 në portë… po flasim për moshën 20-vjeçare, pavarësisht konkurrencës së fortë për këtë pozitë nga portieri nigerian, Ndubuisi Egbo, i cili madje ishte pjesë e Kombëtares së Nigerisë.
Në sezonin e tij debutues në ligë, ai bëri 22 paraqitje, nga 33 të mundshmet, derisa ndihmoi skuadrën të përfundonte në vendin e gjashtë.
Sezonin pasues, ai mbeti zgjedhja e parë për portën e Ballshit, para Egbos dhe të sapo transferuarit Edouard Miço. Ai luajti në 15 nga 26 ndeshjet e ligës. Frashëri gjithashtu ndihmoi skuadrën e tij të arrinte në finale të Kupës së Shqipërisë, ku u ndesh me Laçin, por eventualisht u mposht duke pranuar gol në minutën e 119 të vazhdimeve.
Në qershor të vitit 2014, ai kaloi te Tirana si agjent i lirë. Debutoi në ndeshjen hapëse të sezonit kundër Apolonia Fierit, më 24 gusht, duke arritur ta mbante portën të paprekur në fitoren 3-0.
Në një përballje derbi kundër Partizanit të Tiranës, Frashëri bëri një gabim gjatë një degazhimi, nga i cili përfitoi sulmuesi i Partizanit, Stevan Racic, për të shënuar golin deciziv në fitoren 2-1 të Partizanit të Tiranës. Ai u kritikua shumë pas këtij gabimi dhe ndeshjen e ardhshme e filloi nga banka rezervë, derisa trajneri Gugash Magan potencoi se Frashëri nuk po mund ta përballonte tërë atë presion.
Më 31 janar 2016, në ditën e fundit të afatit kalimtar të dimrit, Frashëri u rikthye te Bylis Ballshi, me të cilin nënshkroi kontratë deri në fund të sezonit. Ai bëri debutimin e rikthimit më 6 shkurt, kur arriti ta mbante portën të paprekur në fitoren 4-0 të skuadrës së tij kundër Tërbuni Pukës. Frashëri bëri 16 paraqitje për Ballshin, por ishte i paaftë ta parandalonte rënien e skuadrës nga liga.
Më 2 shtator, 2016, Frashëri iu bashkua Flamurtarit të Vlorës si agjent I lirë, me një kontratë deri në fund të qershorit, 2017. Pasi bëri 11 paraqitje në ligë gjatë sezonit, ai u largua nga klubi.
Më 21 gusht 2017, 31-vjeçari kaloi te Kukësi, duke nënshkruar kontratë dy-vjeçare. Interesant është fakti se ai kishte ardhur si portier i dytë, pas Enea Koliqit, të cilin sot e pati kundërshtar në Superligën e Kosovës. Pas dhjetë ndeshjeve në bankën rezervë, ai bëri paraqitjen e parë të sezonit më 20 nëntor, duke startuar në humbjen 2-1 nga Partizani I Tiranës.
Pas aventurës me Kukësin, ai kaloi te Teuta në gusht të vitit 2019, ku arriti të shpallej kampion i Superiores, duke bërë 70 paraqitje në total për klubin, para se të kalonte te Ballkani.
Ai ka qenë portieri i parë për skuadrën e Ilir Dajës në dy sezonet pasuese, deri në ndeshjen e sotme. Aktualisht ai ka një bilanc prej 13 golave të pranuar nga 25 paraqitje me suharekasit./nacionale.com/