Florentino Pérez, presidenti i Real Madridit, ka kritikuar formatin e ri të Champions League, që do të hyjë në fuqi sezonin e ardhshëm. “Superliga ka vuajtur nga fushata të vazhdueshme manipulimi mediatik. Objektivi i vetëm i saj është të forcojë futbollin europian, pa privilegje apo përjashtime, por në bazë të meritokracisë.

Vitin e ardhshëm, Champions League ndryshon, shkon drejt një formati të pazakontë, absurd, pa kuptim futbollistik. Pa ndeshje vajtje-ardhje dhe me më shumë ndeshje. Absurde”, – tha presidenti i “Los Blancos”.

UEFA, së bashku me ECA dhe Ligat Evropiane, shpallën në maj 2022 këtë format të ri përfundimtar të Ligës së Kampionëve, që do të hyjë në fuqi nga sezoni 2024-2025. Ideja e re e Aleksander Ceferin për kompeticionin e madh evropian të klubeve ka shumë ndryshime. Liga e re e Kampionëve do të ketë 36 skuadra, në vend të 32 skuadrave aktuale.

Florentino Perez e kritikoi këtë Ligë të re të Kampionëve dhe sulmoi UEFA-n. Po ashtu, ai theksoi se klubet do të fitojnë më pak para dhe se do të luajnë më shumë ndeshje: “Drejtuesit e UEFA-s po shkojnë në drejtim të kundërt. Ata synojnë të reformojnë Champions League, por kjo nuk është zgjidhja.

Të drejtat për 125 ndeshjet e Ligës së Kampionëve shiten aktualisht në Spanjë për 360 milionë euro. Në vitin 2024, 189 ndeshje do të shiten për 320 milionë euro. Pra, 64 ndeshje të tjera më shumë dhe 40 milionë euro më pak.

Ky model garash do t’i largojë edhe më shumë tifozët nga sporti ynë. Modeli i ri që po përgatit UEFA nuk është ai i kërkuar nga tifozët në mbarë botën, por ai që i përshtatet më së miri sistemit të qeverisjes së UEFA-s”./telesport/