Vllaznia do presë besër skuadrën e Laçit në Shkodër për javën e 10-të të Superligës. Një takim që pritet shumë i luftuar nga ana e të dy skuadrave për vetë objektivat e larta që janë ndërtuar këtë sezon. Por historia e laçianëve është e lidhur ngushtë me futbollistët me origjinë nga Shkodra.

Që nga 2009 kur kurbinasit u rikthyen në Superiore, ata që kanë qenë protagonistë thuajse çdo vit me bardhezinjtë kanë qenë futbollistët shkodranë. “Shkodra Sport” rikthen në memorie disa nga ata që kanë spikatur në dekadën e fundit, duke rikujtuar lidhjen e fortë të Laçit me shkodranët.

Padyshim i paharruar mbetet Erjon Vucaj. Mesfushori shtatshkutër, por plot klas ishte kapiten i bardhezinjëve për shumë vite. Madje edhe duke fituar kupën e Shqipërisë. Gjithashtu Valdano Nimani apo edhe Olsi Gocaj janë ndër ata që kanë bërë mirë me Laçin.

Shkodranë të tjerë si Bishani, Rexha dhe Hoti e Marku kanë qenë pjesë e laçianëve në periudha të ndryshme. Në vitet e fundit ata që ishin pjesë e Laçit kanë qenë edhe disa emra të njohur si Shtubina, Sukaj, Nika, Kruja, dhe Vecaj. Ndërsa më sezonet e fundit protagonistë ka qenë edhe Fangaj e Sherri, ky i fundit sërish pjesë e Laçit edhe këtë sezon.

Pra duket se është një “histori dashurie” ajo e Laçit me futbollistët shkodranë. Histori e cila ka vite që vijon dhe duket se do vijojë gjatë duke parë kontributin e madh që kanë dhënë shkodranët në vite tek ekipi bardhezi.
Endri ÇINARI